Pas Pjetrit dhe Kajmakut, Basha paralajmëron të tjerë emra

Pas Pjetrit dhe Kajmakut, Basha paralajmëron të tjerë emra

12:09 27/08/2019

“Dënoj heshtjen e Ramës dhe Prokurorisë për Kajmakun”

Pas denoncimeve të Kryebashkiakut të Shkodrës, Valdrin Pjetri dhe të Vorës, Agim Kajmaku, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha paralajmëroi të martën të tjera denoncime, pasi sipas tij ka dhjetëra individë me rekorde kriminale.

Por, duke qenë se sipas PD ata janë rezultat i një procesi antikushtetues zgjedhor, Basha refuzoi t’i quante kryebashkiakë apo këshilltarë.

Partia Demokratike po shqyrton të gjitha rastet, bëhet fjalë për dhjetëra individë me rekorde kriminale, të garuar nga Edi Rama, të kandiduar nga Edi Rama, sigurisht nuk janë as kryebashkiakë dhe as këshilltarë, janë pjesë e një procesi antikushtetues.

Basha foli për mediat pas takimit me Katja Leikert, nënkryetare e grupit parlamentar CDU/CSU për Europën.

Ai dënoi heshtjen e kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë në lidhje me dokumentet e publikuara nga selia blu për Agim Kajmakun, i cili akuzohet se është arrestuar në Greqi në vitin 2003.

Dënoj heshtjen e Edi Ramës, ka 24 orë që PD ka publikuar dokumentet zyrtare që provojnë se Jorgo Kajmaku është në shkelje të ligjit të dekriminalizimit dhe duhet sot të ishte marrë i pandehur nga Prokuroria. Dua po ashtu të dënoj heshtjen e Prokurorisë, e cila si një shtojcë e pushtetit të Edi Ramës, sa herë që i duhet atij, bën lëvizje propagandistike, por edhe ajo ka 24 orë që hesht. Pse hesht Prokuroria, pse hesht Arta Marku dhe veglat e saj?

Basha tha se zgjidhja e kësaj krize kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një qeverie tranzitore pa Edi Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet lokale.

Në muajt në vazhdim, Basha tha se protestat opozitare do të jenë edhe më të mëdha dhe më të fuqishme, por paralelisht aksioni opozitar do të fokusohet edhe në zgjidhjet që do tu ofrojmë shqiptarëve. /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
UKT