Policia e Tiranës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë nipin e Përparim Ademit, 59-vjeçarit që vrau dy motrat Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi më 31 Dhjetor.

14-vjeçari me iniciale K.K. akuzohet për moskallëzim krimi dhe është po hetohet në gjendje të lirë për shkak të moshës së mitur.

Nipi i Përparimit shoqëronte gjyshin e tij ditën e vrasjes së dy motrave. Ai u përdor si karrem nga Përparim Ademi që Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi t’i hapnin derën.

Kjo duket edhe në pamjet e kamerave të sigurisë që publikoi emisioni Uniko nga Spartak Koka një ditë më parë. Në video duket Përparim Ademi që shkon për të vrarë dy motrat dhe shoqërohet nga nipi i tij.

Është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale të moskallëzimit të krimit, për shkak të moshës së mitur shtetasi: K.K., i datëlindjes 19.10.2006, lindur në Tiranë dhe banues në Tiranë, rruga “Ylbere Bylybashi”, banesë private nr.24, me gjendje civile i pamartuar, me gjendje gjyqësore i padënuar më parë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare. Veprimet për shtetasin K.K. janë kryer në prani të psikologes së D.V.P. Tiranë, në prani të avokatit të zgjedhur, për shkak të moshës së tij të mitur”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërsa në dëshminë që ka dhënë përpara hetuesve, 14-vjeçari me iniciale K.K. tregoi të gjithë dinamikën e asaj dite.

Dëshmia e nipit të Përparim Ademit: “Në mëngjesin e datës 31.12.2020 gjyshi im Përparim Ademi më mori dhe më tha hajde se do të shkojmë në një vend. Kemi shkuar bashkë me gjyshin në këmbë deri tek shtëpia e Zhanetës të cilën unë e njihja shumë mirë. Në momentin që shkuam tek dera e banesës, gjyshi nxorri nga çanta automatikun dhe ma vuri në gjoks dhe më tha bjeri derës dhe të thoja emrin tim. Në këto kushte i rashë derës dhe pasi më pyetën nga brenda se kush isha, i thashë emrin. Në momentin që gjyshi u fut brenda dëgjova të shtëna dhe ika me vrap në drejtim të shtëpisë tonë dhe takova gjyshen dhe i tregova se çfarë kishte ndodhur”.   /tvklan.al