Një dite pas bisedës me presidentin rus Vladimir Putin, shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me homologun ukrainas Volodymyr Zelenksy. Trump postoi në rrjetin social dhe detajet në lidhje me këtë bisedë telefonike, e para pas debatit të ashpër që pati disa javë më parë në Shtëpinë e Bardhë me Zelenksyn.

“Sapo përfundova një telefonatë shumë të mirë me Presidentin Zelensky të Ukrainës. Ajo zgjati afërsisht 1 orë. Pjesa më e madhe e diskutimit u bazua në telefonatën e bërë dje me Presidentin Putin, në mënyrë që të përafronin Rusinë dhe Ukrainën për sa i përket kërkesave dhe nevojave të tyre. Ne jemi në rrugën e duhur!”

Trump bëri të ditur gjithashtu se do t’i kërkojë Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Michael Waltz, të japin një përshkrim të saktë të çështjeve të diskutuara.

Mediat amerikane bëjnë të ditur se presidenti ukrainas i ka premtuar TrUmp që edhe vendi i tij t’i ndalë sulmet mbi objektet energjetike në Rusi. Shtëpia e Bardhë njoftoi se një raund i ri bisedimesh për një zgjidhje paqësore në Ukrainë do të zhvillohet më 23 Mars në Jeddah të Arabisë Saudite.

Pavarësisht se Putin u zotua për të mos sulmuar objektet energjetike, sulmet ruse në Ukrainë nuk u ndalën. Rusët goditën sistemin e energjisë në Dnipropetrovsk duke shkaktuar vështirësi në trafikun hekurudhor. Gjithashtu u sulmua me drone edhe një spital.

Këtë të Mërkurë Kremlini dhe Kievi shkëmbyen reciprokisht 175 ushtarët e zënë robër. I Dërguari Special i SHBA-ve, Steve Witkoff tha se brenda 2 javësh pritet të realizohet armëpushimi i rënë dakord mes dy presidentëve, Trump dhe Putin.

Në telefonatën e së Martës mes dy udhëheqësve të SHBA-së dhe Rusisë gjithashtu u dakordësuan për ngritjen e një grupi të përbashkët për vijimin e negociatave në Arabinë Saudite për vendosjen e një armëpushimi detar në Detin e Zi, e më pas të një armëpushimi gjithëpërfshirës.

Tv Klan