Një ditë pasi Olsi Hajdari sqaroi për herë të parë për Klan Plus të vërtetën e helmimit misterioz të tij dhe nuses së ndjerë Rezartës, ka reaguar vëllai i 19-vjeçares.

Reshit Xibrraku, vëllai i Rezartës, ka folur sot për gazetarët dhe është shprehur që dyshon për vrasje dhe nuk beson që motra e tij të jetë asfiksuar nga mangalli i lënë ndezur në dhomën e gjumit.

Ai thotë se do të kërkojë drejtësinë, madje kërcënon edhe kunatin, Olsin, i cili doli nga spitali të dielën.

“Ne arsyen do ta gjejmë në polici. Fola mbrëmë me Olsin në telefon edhe e pyeta si qe ngjarja. Tha hëngrëm darkë, shkuam për të fjetur edhe mora një mangall me prush. E vendosa në dhomë tha, edhe shkojmë e flemë thotë. Kaq mbaj mend thotë. Do ta kërkoj drejtësinë deri në fund, nuk do t’i lëmë rehat, do t’ia marr dhe unë jetën siç iku motra ime nën dhe, ashtu do të iki dhe ai nën dhe. Dyshojmë që mund të jetë vrasje”, tha Reshiti për mediat.

Olsi Hajdari dhe nusja e tij Rezarta Hajdari u gjetën pa ndjenja në krevat ditën e enjte në banesën e tyre në fshatin Xhyrë të Librazhdit. Fatkeqësisht, 19-vjeçarja kishte humbur jetën, ndërsa Olsi u dërgua në spital në gjendje të rëndë.

Pas dy ditësh, 27-vjeçari u përmend, dhe kur të gjithë po mendonin se dy të rinjtë ishin vetëhelmuar, ai sqaroi për Klan Plus një ditë më parë se të dy ishin asfiksuar nga mangalli. /tvklan.al