Irani ka deklaruar se nuk do të zbatojë asnjë prej kufizimeve të vendosura për programin bërthamor mes saj dhe Fuqive të Mëdha në marrëveshjen e vitit 2015. Në një deklaratë zyrtare, Irani bëri me dije se nuk do t’i përmbahet asnjë kufizimi për armatimin bërthamor dhe ka braktisur këtë marrëveshje. Deklarata erdhi pas një takimi të kabinetit qeveritar në Teheran.

Tensionet mes Iranit dhe SHBA-së arritën pikën më të lartë më 2 Janar kur Uashingtoni vrau në një sulm me dron gjeneralin e lartë iranian Qasem Soleimani. Ky i fundit konsiderohej si arkitekti i sigurisë së Iranit dhe si personi që ka krijuar grupet militante në Irak të mbështetura nga Irani.

Presidenti Donald Trump që urdhëroi vrasjen e tij, tha se eliminimi i Soleimanit ishte një masë mbrojtëse, pasi sipas tij, ai ishte personi që kishte ideuar dhe urdhëruar sulmet ndaj trupave dhe bazave amerikane në Lindjen e Mesme. Por, Teherani zyrtar është zotuar se do të hakmerret për vrasjen e gjeneralit më të rëndësishëm në Iran, që njëkohësisht ishte dhe komandanti i forcave speciale Quds.

Gjatë ditës së sotme, Parlamenti i Irakut miratoi një rezolutë që kërkon largimin nga vendi të trupave amerikane.

SHBA u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin në vitin 2018, duke kërkuar rinegociim dhe vendosi sanksione ndaj Teheranit. Irani refuzoi dhe që prej atëherë është tërhequr gradualisht nga angazhimet e vitit 2015. /tvklan.al