Mund të duket e pabesueshme, por Xhesika Polo dhe Klint Çollaku vijnë në “Kënga Magjike 2021” pas një ëndrre të njëjtë që kanë parë.

Ky është edhe dueti i parë për Klint Çollakun, i cili na tregon edhe se kush do të ishte mentori i tij “i përjetshëm”…

Xhesika Polo, dalja e parë në skenë ka qenë në moshën 7 vjeç. Në vitin 2012-të ka qenë finaliste në “X Factor Albania”.

5 herë pjesëmarrëse në festivalin “Kënga Magjike”. Vlerësuar me çmimin e parë në “Nota Fest” në Shkup në vitin 2020.

Klint Çollaku, pikënisjen e karrierës e ka pasur në spektaklin e talenteve “Gjeniu i vogël” duke fituar çmimin e tretë. Në vitin 2017 shpallet fitues i “The Voice of Albania 6”.

Pas koverave të ndryshëm për herë të parë paraqitet me një këngë në festivalin “Kënga Magjike 2017”. Kënga “Më s’më gjen” u vlerësua me çmimin e produksionit.

Ardit Gjebrea: Ju jeni sot këtu pas një ëndrre që u bë realitet, ç’është kjo ëndërr? Do na e tregoni pak?

Xhesika Polo: Patjetër që po. Faktikisht ishte shumë e frikshme. Zgjohem në mëngjes, një ditë para se të më merrte Kela në telefon (gazetare e programit E Diela Shqiptare) i them Klintit: Kam parë një ëndërr sikur më tha Arditi që javën tjetër jemi në “Kënga Magjike” dhe ne ishim totalisht të panikuar. Më thotë: Harrova ta thoja, por më ka ndodhur e njëjta gjë dhe pas gjysmë ore më merr në telefon gazetarja dhe më thotë jeni te “Kënga Magjike” pas një jave.

Ardit Gjebrea: Flasim pak për bashkëpunimin tuaj, kush kërkoi kë?

Klint Çollaku: Të dy njëri-tjetrin. Kishim kohë që e diskutonim këtë gjë, ngaqë kemi edhe miqësi që nga “Kënga Magjike” e fundit, ku njoha Xhesikën. Aty u bëmë shumë miq dhe kishim kohë që thonim për një bashkëpunim dhe ky ishte momenti i duhur.

Ardit Gjebrea: Titulli i këngës është “S’më vret”, s’më vret çfarë, kush, cili, cila?

Xhesika Polo: Është ajo shprehja që të gjithë do të lëndojnë në fund, por duhet të zgjedhësh të duhurit që ja vlen të lëndojë. Në rastin tonë, në historinë që tregojmë, ne nuk ishim të duhurit për njëri-tjetrin. Pavarësisht se duheshim shumë ishte një marrëdhënie toksike që të dy e pranuam.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë me jetët tuaja ç’po ndodh?

Xhesika Polo: Unë jam me fat se besoj se e kam gjetur personin që ja vlen dhe pse ai nuk më lëndon dhe kujdeset shumë mirë për mua.

Ardit Gjebrea: Po me ty Klint?

Klint Çollaku: Unë siç thotë edhe kënga i kam thënë mirupafshim gjërave toksike në jetën time edhe për momentin është shumë shpejt…

Ardit Gjebrea: Presim ëmbëlsira?

Klint Çollaku: Po, presim...

Ardit Gjebrea: Ky është dueti i parë?

Klint Çollaku: Po ky është dueti im i parë.

Foto e Klint Çollaku dhe Xhesika Polo në “Kënga Magjike 2021”

Një prej fansave i ka kërkuar Xhesika Polo të interpretojë një notë të lartë, ndërsa për Klint Çollakun ka një pyetje për mentorin e tij të përjetshëm.

Pyetja për Klintin: Bashkëpunimi me Alban Skënderaj të bëri të fitosh “The Voice”. Nëse do të jepej mundësia të zgjidhje një mentor të përjetshëm cili do të ishte?

Klint Çollaku: Pyetje e vështirë, por mendoj se do zgjidhja babin tim. Ai ka qenë gjithmonë me mua në çdo hap, tek “Gjeniu i vogël”, te “Maratona” në çdo vend. /tvklan.al