Vazhdojnë hetimet për ngjarjen e cila ndodhi vetëm pak ditë më parë në Frosinone të Italisë ku mbeti i plagosur një 27-vjeçar shqiptar dhe autor ishte një bashkatdhetar i tij.

Mediat kanë bërë publike emrin autorit. 37-vjeçari Juilian Maloku dyshohet se ka qenë personi që ka shtënë me armë ndaj të riut. Menjëherë pas kësaj ngjarje, shtëpia e të fejuarës së Malokut ishte tentuar të bastisej. Persona të paidentifikuar kishin tentuar të hapnin me dhunë derën e banesës së saj.

Policët besojnë se kjo gjë ka ndodhur në shenjë hakmarrjeje për atë që i ndodhi 27-vjeçarit të plagosur. Autoritetet dyshojnë se autorët kanë pasur për qëllim marrjen e vajzës.

Pas kësaj, e fejuara e Malokut u mor në mbrojtje nga autoritetet. Edhe të afërmit e Juilian Malokut janë larguar nga Frosinone për t’u transferuar në një qytet tjetër.

Ndërkohë i plagosuri shqiptar është në gjendje të rëndë shëndetësore. Mediat shkruajnë se ai ka marrë një plagë në kokë dhe është në luftë me jetën.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës në Frosinone. Maloku qëlloi me pistoletë 27-vjeçarin, ndërkohë që policia dyshon se kjo ngjarje ka ndodhur për ndarjen e tregut të paligjshëm të prostitucionit.

Pasi u mor në pyetje nga autoritetet, Maloku deklaroi se nuk donte të qëllonte dhe se e gjitha ishte incident. /tvklan.al