Pas triumfit në Rusi, Inis Neziri konkurrente në “Kënga Magjike”

Pas triumfit në Rusi, Inis Neziri konkurrente në “Kënga Magjike”

19:25 07/09/2019

Me zërin e saj të mrekullueshëm, Inis Neziri triumfoi në festivalin “New Wave” në Rusi që u zhvillua në fund të muajit Gusht.

Ishte vetëm 12 vjeç kur fitoi “Gjeniun e Vogël” në Tv Klan, ndërsa sot ajo është fituese e një prej skenave botërore. Inisi ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, për të rrëfyer për herë të parë aventurën e saj në Rusi.

“Më informuan menaxherët e mi, duke qenë se ishin ato që më çuan tek “Dreri i Artë” vjet kur e fitova. Duke menduar për të hipur në skena më të mëdha, menduam se “New Wave” do ishte tamam ajo që ne na duhej. Duke qenë se është një festival shumë prestigjioz dhe Rusia është gjysma e botës, menduam të merrnim pjesë. Audicionet i bëra në Prill në Moskë, dhe kishte mbi 3 mijë persona të cilët donin të bënin audicionin, dhe nga ato vetëm 13 u pranuan për të shkuar në finale. Dhe unë isha emri i parë që thanë që u pranua për finale dhe isha shumë e lumtur”.

Inis Neziri triumfoi me pikë dy netët e para, ndërsa natën e tretë ajo mori në duar trofeun e festivalit “New Wave”.

“Ishte pak e çuditshme, pasi çdo natë pas performancës, të gjithë konkurrentët dilnim në skenë dhe kishte një juri. Na jepte pikë nga i pari deri tek i fundit dhe ishte lejuar të jepnin vetëm dy 10-ta në natë dhe dy 9-ta në natë. Nata e tretë ishte deçizive. Dy netët e para isha në vendin e parë. Dhe në qoftë se në natën e tretë nuk merrja më shumë pikë nga të gjithë, atëherë dihej kush do ishte fituesi. Dhe fituesi u vendos që natën e tretë. Unë kisha më shumë vota nga të gjithë. Dhe kur dolëm nga skena të gjithë po thonin: “Inis shko me vrap te dhoma”. Sepse nuk duhej të jepja asnjë intervistë dhe unë që nuk e kisha idenë fare se çfarë kishte ndodhur sepse nuk kishim tabelë për të parë pikët. Kur erdhi nata finale, e dija që do merrja çmimin e parë. Kur mora trofeun në duar e besova me të vërtetë që ndodhi dhe isha vërtetë e lumtur. Ishte një nga emicionet më të mëdha që kisha”.

Emocionet ishin të mëdha, sidomos kur performon përballë një publik të gjerë, sikurse është Rusia. Por, falë talentit të saj, Inisi arritë të ngrohë edhe zemrat e rusëve.

“Kishte rreth 5 mijë veta në atë sallë dhe e kishin bërë skenën vetëm për “New Wave”. Ishte një emocion shumë i madh dhe vetëm dy ditë prova bëmë në skenë. Kisha shumë emocione, isha shumë e lumtur që isha aty. Nuk ishte hera e parë që këndoja përballë një publiku aq të madh, por duke qenë se është dhe Rusia dhe të gjithë kanë përshtypjen që janë pak njerëz të ftohtë, e kisha pak atë merakun. Por që më iku kjo frikë kur këndova këngën ruse sepse këndova shumë mirë dhe juria ishte shumë e dashur, shumë mikëpritëse. Duhet të këndonim patjetër një këngë të Alla Pugacheva, e cila është një yll rus, dhe na jepnin një listë dhe ndër to ne duhet të zgjidhnim. Unë zgjodha “ato duan të na ulin poshtë, por ne fluturojmë lart”. Festivalit iu dedikova 100% gjithë verën, mu desh që të përpunoja tekstin”.

Artistja shqiptare, karriera e së cilës është në ngjitje, nuk harron televizionin ku hodhi hapat e parë për ëndrrën e saj, dhe për këtë bën një premtim: “Tani po përgatis një këngë, është në përfundim dhe mund të marr pjesë tek “Kënga Magjike” prapë këtu në Klan”. /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT