Një tjetër rrjet social ka bllokuar Presidentin amerikan Donald Trump. Youtube ka pezulluar për 1 javë kanalin zyrtar të Trump në këtë platformë, për shkak të shkeljes së politikave të saj.

Bëhet fjalë për një video, që siç njoftoi Youtube, kishte nxitur dhunë. Kjo video u fshi ndërsa kanali i Youtube të Donald Trump u bllokua për 1 javë. Youtube nuk ka dhënë detaje të tjera rreth përmbajtjes së kësaj video, por ka deklaruar se pas 1 jave do të shqyrtohet nëse kanali i Trump do të hapet apo do të merren masa të tjera.

“Pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe shqetësimeve në lidhje me nxitjen e dhunës, ne fshimë videon e re të ngarkuar në kanalin e Donald Trump dhe penalizuam kanalin e Donald Trump për shkeljen e politikave tona për nxitje të dhunës. Si rezultat, nuk mund të ngarkohen video të reja për të paktën 7 ditë”, tha një përfaqësues i Youtube.

Ndërkohë, Presidenti në detyrë Donald Trump është bllokuar në Facebook për një kohë të pacaktuar, ndërsa Twitter e ka ndaluar plotësisht. /tvklan.al