Edhe këtë vit, politika urimet për Pashkët zgjodhi t’i bëjë nga rrjetet sociale. Për Presidentin Ilir Meta, dita e kremtimit të ringjalljes së Krishtit duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe ngritjeje mbi interesat personale për ato kombëtare.

“Festa frymëzuese e Pashkëve është një moment reflektimi. Kjo ditë e shenjtë na ofron sërish mundësinë që secili prej nesh të përmbushë detyrat e përgjegjësitë e veta, jo vetëm para Zotit, por edhe ndaj njëri-tjetrit, çdo ditë e pareshtur, duke u përpjekur që krahas bashkëjetesës së shkëlqyer fetare, t’i vërtetojmë botës e familjes europiane se vlerat e vyera të kombit tonë me të cilat krenohemi, triumfojnë mbi egon dhe interesat personale të secilit prej nesh”.

Kryeministri Rama zgjodhi që urimin e tij për besimtarët e krishterë ta shoqërojë me një foto të Memorialit në Kuvendin e Troshanit, ku mësoi, u rrit dhe dha më pas mësim At Gjergj Fishta.

Ndërsa kreu i opozitës, Lulzim Basha nga Kisha e Shna Ndoit në Laç përmes një video selfi nuk harroi edhe mesazhin politik në këtë ditë feste.

“Zoti të na e ndriçojë rrugën e bashkimit kundër padrejtësive, për ta çliruar Shqipërinë nga padrejtësitë, për tu bashkuar të gjithë si vëllezër e motra nën Perëndinë, nën Zotin në këtë ditë të ngjalljes së Krishtit dhe të shpresës! Për një Shqipëri të paqes, të së ardhmes më të mirë për çdo familje, për çdo shqiptar! Zoti e bekoftë Shqipërinë”.

Mesazhe urimi përcollën edhe kryetari i Kuvendit dhe ish-kryeministri Berisha. Edhe këtë Pashkë ashtu si për Krishtlindje kisha katolike nuk pranoi vizitat e politikanëve.

Tv Klan