Klan News ka siguruar të dhëna të tjera nga dosja hetimore e vrasjes së ish-zyrtarit Pashk Ujka, i cili u qëllua për vdekje me një plumb nga një pistoletë me silenciatorë. Autorët e dyshuar të arrestuar tashmë , Kristian Kelmendi dhe Marjan Kola, duket se e kanë vëzhguar prej kohësh viktimën para se ta ekzekutonin.

Autorët e kanë ndjekur dhe pak momente para ngjarjes, kur viktima sapo kishte blerë një paketë cigare dhe ishte nisur drejt banesës bashkë me vëllain dhe bashkëshorten. Në momentin, kur kanë kaluar pranë shatërvanit, kamerat e sigurisë së një banke të nivelit të dytë, kanë filmuar autorët që i afrohen me hap të shpejtë dhe e qëllojnë shënjestrën e tyre. Duke iu referuar po këtyre pamjeve filmike, hetimet kanë zbuluar se autorët ishin të veshur me të zeza dhe ishin trupa të mbushur, të ngjashëm me dy të arrestuarit. Ata mbanin kapele të zeza me strehë, doreza dhe maskë Covidi. Po në këto pamje duket qartë se autori mban në duar një qese të bardhë që mbulonte një çantë, ku dyshohet se ishte fshehur arma e ekzekutimit. Përdorimi i qeses, për hetuesit shpjegon edhe mungesën e gëzhojën në vendngjarje.

Pista kryesore e hetimeve mbetet ajo e përplasjes së Pashk Ujkës me babain e Kristianit, Aleksandër Kelmendi.  Kjo për shkak të prishjes së pazarit për blerjen e një apartamenti të ndërtuar nga viktima. Sipas djalit të biznesmenit të vrarë, babai i tij kishte nxjerrë jashtë nga banesa Aleksandër Kelmendin, pasi nuk i kishte paguar paratë për apartamentin. Ndërsa në deklaratën e tij Kelmendi ka thënë se familja e tij i kishte dhënë një shumë prej 20 mijë Eurosh viktimës.

Një tjetër provë e fortë është gjetja e barutit në gishtat e Kristian Kelmendit dhe Marjan Kolës. Të dy të arrestuarit kanë thënë se ditën e vrasjes kanë qenë në Kosovë. Sa i takon barutit, ata kanë deklaruar se kanë qenë në një poligon qitjeje.

Dy të rinjtë janë ndaluar në Morinë më datë 30 Nëntor, kur po tentonin që të futeshin në territorin e Shqipërisë. Referuar sistemit TIMS, Kristiani rezulton në Shqipëri, pasi është futur më datë 24 Nëntor dhe më pas sërish më datën 30 Nëntor. Gjykata e Shkodrës i la në burg  me afat 30 ditë për dy të rinjtë, ndërkohë që pritet të shqyrtohen si provë materiale pamjet filmike në poligonin e qitjes në Kosovë, si dhe përgjigjet e laboratorit kriminalistik.

Klan News