Emisioni “Opinion” u fokusua mbrëmjen e sotme në një pasion, me të cilin shqiptarët u familjarizuan pas viteve ’90. Me rënien e regjimit komunist dhe ardhjen e demokracisë në Shqipëri filluan të lëviznin makinat e para, të cilat nuk ishin nga prodhimet më të fundit.

Infrastruktura rrugore ishte akoma e papërgatitur për makina te shpejta. Por pas viteve ’90 një nga bizneset që lulëzoi më shumë ishte ai i autoshkollave. Të gjithë filluan të mësonin të drejtonin një automjet dhe tani janë të paktë të rinjtë që nuk kanë leje drejtimi. 

Por lidhja e shqiptarëve me makinat e shpejta dhe cilësore duket se është e madhe. Nëpër rrugët e Shqipërisë mund të shohësh shpesh modelet më të fundit të makinave, të cilat padyshim janë dhe nga më të shpejtat. Interesi për garat e Formula 1 është i jashtëzakonshëm. Të gjithë kanë pilotët dhe skuteritë e preferuar. Garat e F1 janë shpesh tema diskutimi po aq sa edhe ato me motora.

Pasioni i padiskutueshëm është për shpejtësinë. Pas viteve 2000 në Tiranë mund të gjesh çdo model makine që gjendet edhe në metropolet europiane. Të gjithë adhurojnë shpejtësinë, aq sa nëpër autostrada garojnë në një formë apo tjetrën.

Një nga garat që zhvillohet në Shqipëri është ajo e Rally Albania, ku interesimi për të marrë pjesë është i madh.   

Për të diskutuar mbi pasionin për shpejtësinë në studion e emisionit “Opinion” ishin të ftuar prezantuesja Balina Bodinaku, drejtuesi i AutoClub Albania Eno Zeneli, presidenti I Skënderbeut Agim Zeqo, drejtuesi një kompanie, që merret me dhënien me qira të makinave, Blendi Gonxhe, gazetari Ylli Rakipi dhe komentatori sportiv Erion Xharo./tvklan.al