Emisioni “Opinion” u fokusua mbrëmjen e sotme në një nga pasionet 100-vjeçare të njerëzimit, atë të pozimit para aparatit fotografik. Pasioni për të pozuar nisi rreth fundit të shekullit të 19-të dhe u kthye në një lloj institucioni në  20 vitet e para të shekullit të 20-të, kur u shfaqën dhe fotografët e parë, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë e fotografisë.

Në Shqipëri ky pasion nisi rreth viteve 1920-1930 , por duket se humbi në vitet e komunizmit për t’u rikthyer pas viteve ’90. Pozimi duket se është kthyer në një sport popullor për të gjithë të rinjtë, të cilët mendojnë se modelingu është mënyra më e mirë për të ecur në jetë.

Por numri i atyre që janë të suksesshëm në këtë fushë është shumë i vogël në krahasim me numrin e të rinjve që vendosen para aparatit fotografik me ëndrrën për t’u bërë modelë të famshëm.

Për të diskutuar mbi këtë çështje në studion e emisionit “Opinion” ishin të ftuar fotografi Armand Sallabanda, prezantuesja dhe fotomodelja Hueyda El Sayed, gazetarja Fjodora Fjora, prezantuesja dhe modelja Eralda Hitaj, gazetari Arjan Konomi, modelja dhe këngëtarja Afërdita Dreshaj, gazetari Blendi Salaj dhe modelja Aurela Hoxha./tvklan.al