Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Ministria e Jashtme Shqiptare ka reaguar sot ndaj akuzave të shtypit grek për ministrin Paskal Milo. Sipas kësaj ministrie ato janë njoftime të pabazuara, të qëllimshme dhe keqdashëse që bëhen në kuadrin e një klime të nxehtë elektorale në Greqi. Gazetat greke ndër të tjera veç akuzave për ish-funksionarët e lartë të konsullatës greke në Tiranë e Gjirokastër, implikojnë dhe ministrin Milo në afera të dyshimta të shitjes së vizave.

Sipas këtyre gazetave ministri i jashtëm Paskal Milo merte viza me anë të listave me emra që i dërgonte tek diplomat grek, punonjës në konsullatë pa informuar ministrinë e jashtme greke. Sipas deklaratës zyrtare të ministrisë së jashtme shqiptare, drejtoria juridike dhe konsullore në këtë ministri ka për detyrë tju vijë në ndihmë qytetarëve shqiptarë për pajisjen e tyre me vizë në raste humanitare, shëndetësore, politike, akademike, tregtare etj.

Ndërkohë po sot ministri grek i Informacionit Dimitris Rrepas ka deklaruar në një konferencë për shtyp se ministria e jashtme do të ndjek deri në fund çështjen e dhënies së vizave në konsullatën greke në shqipëri. Por ai ka mohuar faktin e përfshirjes së ministrit Milo në këtë çështje duke e vlerësuar kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve greko-shqiptare./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego