Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk do të tërhiqet nga pozicionet e saj luftarake ndaj forcave ushtarake serbe duke mbrojtur territoret e çliruara në zbatim të armëpushimit të arritur me ndihmen e ndërmjetësit amerikan Hollbruk.

Këtë e ka deklaruar vete lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi. Në takimin me Ministrin e Jashtëm, Paskal Milo, Demaci ka pranuar idenë e një takimi të mundshëm të udhëheqësve politikë të Kosovës për të arritur zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Por duket i largët afrimi i UÇK-së me Lidhjen Demokratike te Kosovës. Madje sot Demaci nuk shoqërohej nga përfaqësuesi i Republikës së Kosovës në Tiranë, duke shkaktuar habi jo vetëm tek gazetarët por edhe tek vetë ministri Milo. Bisedimet kanë zgjatur rreth tre ore pa praninë e gazetarëve.

Në një deklaratë të mëvonshme për shtyp, ministri i Jashtëm Milo u shpreh: “ Rruga për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë është sa diplomacia aq edhe veprimi i vendosur i Strukturave Ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe NATO-n, sepse mendojnë që autoritetet e Beogradit janë të pandryshueshem, në linjën e tyre historike të mohimit të të drejtave kombëtare të shqiptarëve” /tvklan.al

Gazetar : Vladimir Lame