Këto janë pasojat që shkaktoi Tajfuni Mangut në Filipine, ku të paktën 65 persona humbën jetën e qindra të tjerë u plagosën si pasojë e stuhisë së shirave.

Mes viktimave janë 33 minatorë. Rrëshqitjet masive të tokës që shkaktoi tajfuni zunë brenda në një minierë. 29 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Autoritetet vendase druhen se bilanci me gjasë mund t’i kalojë 100 viktimat.

Tajfuni Mangut, më i fuqishmi i dekadave të fundit në rajon, shkaktoi dëme të mëdha edhe në Hong Kong e në jug-perëndim të Kinës, ku numërohen të paktën 3 viktima.

Mbi 3 milionë qytetarë që jetojnë në një provincë kineze u urdhëruan të largoheshin nga banesat.

Emergjente situata mbetet ende në SHBA, ku uragani Florens, i kthyer në stuhi tropikale mbuloi me ujë Uilmingtonin, në Karolinën e Veriut. Kontakti tokësor me pjesën tjetër të vendit është shkëputur, duke e kthyer në një ishull qytetin bregdetar.

Aktualisht numërohen të paktën 18 viktima, ndërsa mbi 400 të tjerë janë shpëtuar nga ekipet e emergjencave.

Tv Klan