Histori me zhurmues – Një nga ngjarjet kryesore të vitit 1976 ishte aprovimi i Kushtetutës së re e cila e emëroi Shqipërinë Republikë Popullore Socialiste.

Një prej njerëzve që ka punuar për hartimin e kësaj kushtetute ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço. Bëhet fjalë për juristin Ismet Elezi. Gjatë emisionit Elezi zbuloi detaje rreth punës si jurist për ndryshimet në Kushtetutë dhe pasojat negative që solli në popull të cilat i cilësoi si shkatërrim të demokracisë.

“Puna për përgatitjen e Kushtetutës filloi që në vitin ’73, patëm një mbledhje nën drejtimin e Adil Çarçanit në kryeministri dhe u caktua një komision. Ky komision që u krijua, në realitet ishte për një pjesë të kushtetutës, kryesisht për organizimin shtetëror. Të tilla grupe ishin krijuar edhe për sektorë të tjerë.

Kushtetuta e 1946-ës kishte pësuar ndryshime themelore në vitin 1950 ku u hodhën bazat e socializmit dhe duhej kaluar në një stad më të lartë.

Në fillim ndryshimet e Kushtetutës u bënë heshtazi deri në ’75. Në 1975 në Kuvendin popullor parashtroi hartimin e një kushtetute të re që të paraqiste etapat e socializmit. Në atë seancë u krijua komisioni. Kjo ishte ana formale e jashtme. Unë kam patur kontakt thuajse të përditshëm me Mehmet Shehun. Njohuritë e tij ishin të gjithëanëshme, ai studionte dhe në një takim që patëm në zyrën e tij ai tha se kishte model enciklopedinë britanike. Atë e kishte si Bibël. Kishte nocione të qarta edhe për ligjet. Kaq e vërtetë është kjo saqë kur erdhi puna për prishjen e Ministrisë së Drejtësisë ai iku nga mbledhja dhe i tha Beqir Balluku drejtoje ti, sepse ai nuk ishte dakort që të prishej edhe pse Enver Hoxha e kishte vendosur. Të nesërmen më tha mua bëje relacionin me dy variante sepse ne si byro kishim shprehur opinionin tonë që nuk duhej prishur ministria e Drejtësisë sepse kishte kodifikimin. Ishte një qeveri e kontrolluar totalisht nga Byroja Politike”.

Lidhur me pasojat që solli ndryshimi i Kushtetutës në jetën istitucionale dhe atë shoqërore Elezi tha: “Pasojat ishin negative, totalisht negative. E para ishte se pushteti u përqëndrua në duart e partisë. I gjithë pushteti ishte monopol i një patrie të vetme e cila komandonte të gjitha hallkat e shtetit. Ishte shkatërrim i demokracisë.

Së dyti ishte baza ekonomike që u përqëndrua në duart e shtetit po ashtu, numëroheshin edhe vezët e pulave”.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv.