Mbi 200 viktima nga përmbytjet në Kinë, Indi e Pakistan

Teksa  Europa është nën përvëlim dhe po kalon periudhën më të nxehtë në histori, thuajse i gjithë kontinenti aziatik është përfshirë nga stuhitë dhe rebeshet ditët e fundit.

Bilanci si pasojë e supertajfunit Lekima që goditi Kinën, është 36 të vdekur  e 16 të zhdukur. Autoritetet vendase urdhëruan evakuimin e mbi 1 milion personave, por stuhia e fuqishme ka prekur rreth 5 milionë njerëz.

Ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën pasi rrëshqitjet e tokës rrezikojnë thuajse të gjithë zonën.

160 persona humbën jetën në Indi dhe Pakistan si pasojë e përmbytjeve që shkaktuan shirat e rrëmbyeshëm të fundjavës. Gjithnjë e më shumë shkencëtarët po japin alarmin për ngrohjen globale, shkrirjen e akujve në Arktik dhe rritjen shqetësuese të nivelit të oqeaneve. Pasojat e këtyre dukurive janë pikërisht këto katastrofa natyrore dhe temperatura të papërballueshme, të cilat po njohim sot.

Tv Klan