Veliaj: Banorët me qira të paguar 100% nga bashkia

Në zonën e Kinostudios dhe Kombinatit në Tiranë do të shemben 41 pallate të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit. Nga Baldushku ku dorëzoi çelësat e banesës se familjes Krasniqi e dëmtuar nga tërmeti i Shtatorit të vitit të kaluar, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se qiratë e këtyre banorëve paguhen 100% nga bashkia.

Lajmi i mirë është se të gjithë banorët do ta marrin 100% bonusin e qirasë, derisa të kemi rikuperuar pallatet e vjetra.

“Pandemia, tërmetet, përmbytjet, thatësira, reshjet, janë fenomene që na kanë mësuar t’i bëjmë gjërat më mirë dhe më të rezistueshme në të ardhmen. Ndaj, nuk do të marrim risqe, siç nuk morëm te Teatri, te “Sami Frashëri”, te shkolla në Pezë. Nëse ekspertët, jo gjithologët që dalin çdo natë në televizor të japin mend, thonë se kjo ndërtesë nuk mban, atëherë nuk vëmë bast me fatin dhe me natyrën. Shumë shpejt do të nxjerrim vendimet për këto 41 godina. Banorët, gjithsesi nuk jetojnë aty, janë me bonus qiraje”.

Shumë shpejt do të nisë dhënia e parave KESH për 3 mijë familjet e para që pësuan dëme nga tërmeti i 26 Nëntorit.

“Do të vazhdojmë me pagesat cash për ata që kanë dëmtime të riparueshme dhe me kontrata për t’u bërë shtëpitë e reja për ata që i kanë banesat të pabanueshme. Vetëm në Baldushk kemi 128 shtëpi të tilla. Besoj se me të njëjtin ritëm që rikuperuam çdo shtëpi të vjetër të shtatorit, do rikuperojmë çdo shtëpi të dëmtuar në Nëntor”.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, gjatë verës do të jenë 800 shtëpi që do të ndërtohen në kryeqytet.

Tv Klan