Pastat e dhëmbëve me karbon: efektive apo të dëmshme?




Pastat e dhëmbëve me karbon: efektive apo të dëmshme?

17:43 08/06/2021

Karboni i aktivizuar është shndërruar prej disa vitesh në trendin e gjithçkaje, nga trajtimet e lëkurës, në formë pilulash për disa sëmundje e deri te kujdesi i dhëmbëve. Fansat e pastave me karbon betohen se këto pasta largojnë çdo lloj njolle nga dhëmbët duke i bërë ata më të bardhë. Por në studimet e fundit, është ngritur pyetja nëse karboni i aktivizuar po i bën më shumë dëm se sa mirë dhëmbëve. Ja se ç’duhet të dini përpara se ta përdorni sërish.

Nuk është një trend modern, karboni i aktivizuar është përdorur që në lashtësi. Por në ditët e sotme, ka mundur të hyjë në çdo industri për shkak të aftësisë përthithëse që ka ndaj çdo papastërtie. Madje është kaq i fuqishëm sa spitalet e përdorin për trajtimin e pacientëve që mund të kenë pësuar helmim ose mbidozë.

Pastat me karbon nuk mbrojnë ndaj kalbjes së dhëmbëve, përkundrazi mund ta përkeqësojnë gjendjen e tyre. Karboni i aktivizuar mund të hyjë tek mbushjet e dhëmbëve duke i gërryer ato ose në mishra, të cilat i acaron dhe për më tepër, është e vështirë të largohet prej aty.

Shumë nga pastat me karbon nuk përmbajnë fluorin e aq shumë rekomanduar nga stomatologët për mirëmbajtjen e dhëmbëve. Përveç kësaj, ka një ndryshim midis zbardhimit dhe heqjes së njollave sipërfaqësore. Këto të fundit ndodhen në sipërfaqen e dhëmbit dhe shkaktohen nga pijet me ngjyrë, kafeja ose duhani, ndërsa zbardhimi është metodë që përdoret për të zbardhur ngjyrën natyrale të dhëmbit, i cili mund të jetë i errët nga vetë struktura e dhëmbit, mbipërdorimi i fluorit ose mjekime të ndryshme.

Detoksifikimi i gojës është një gënjeshtër, aftësia përthithëse e karbonit nuk ka ndonjë efekt të ndryshëm në dhëmbë nga pastat e zakonshme. Ndryshe nga organet si mëlçia apo veshkat që largojnë toksinat e trupit, dhëmbët nuk e kanë këtë funksion, për më tepër që nuk është goja mjedisi ku këto toksina grumbullohen.

Pra, mos prisni që pastat me karbon të bëjnë magji në dhëmbët tuaj, por investoni në trajtime dhe vizita tek dentisti juaj./tvklan.al





Të ngjashme