Në çelje të sesionit të ri parlamentar, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se kryeministri Edi Rama do të propozojë si amendamente shtrëngimet më të ashpra në lidhje me pastërtinë e figurës së çdo kandidati, në mënyrë që rasti i Shkodrës të mos përsëritet.

Rasti i Shkodrës, është një rast që sigurisht në bën të jemi të vetëdijshëm që kuadri ligjor ekzistues nuk është ende i plotë, e në këtë këndvështrim, kryeministri Edi Rama, më shumë në cilësinë e deputetit, se atë të kryeministrit, ka njoftuar dhe do të depozitojë në komisionin e reformës zgjedhore si amendamente shtrëngimet e domosdoshme dhe më të ashpra në lidhje me pastërtinë e figurës së çdo kandidati. Le të jetë komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore, që t’i shqyrtojë të gjitha këto propozime dhe këtë amendament me qëllim që sëbashku me ju, ta pasurojë këtë nisëm të vyer në funksion të rritjes së rrjetës së parandalimit të çdo personi me të shkuar problematike, të arrijë të zgjidhet në Kuvend, apo në krye të bashkive, apo këshilla bashkiake, apo poste të tjera në të cilat ligji e përcakton qartë se këta persona nuk mund të emërohen”, tha Balla.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në fjalën e tij hapëse tha se Kuvendi mbylli sesionin e kaluar dhe po fillon këtë sesion parlamentar si një institucion që me një kuorum kushtetues, me një shumicë të certifikuar për të miratuar çdo akt ligjor.

Kuvendi përballoi me dinjitet sfida ta jashtëzakonshme dhe unike. Demokracia liberale si asnjë herë tjetër gjatë 3 dekadave u provua si demokraci kushtetuese dhe vetë konsticionalizmi si themel solid i saj. Si asnjë herë në historinë e pluralizmit Kushtetuta u rezistoi aventurave dhe parimit të ‘Magna Kartës’, ‘liri nën ligj’, duke shpëtuar kështu sistemin demokratik të Shqipërisë nga anarkia dhe kaosi”, tha Ruçi./tvklan.al