“Ata janë fëmijë të Zotit dhe kanë të drejtën e një familjeje. Askush nuk duhet të dëbohet, apo të ndihet keq për atë që është. Ajo çfarë ne duhet të krijojmë është një ligj për partneritetin civil. Në këtë mënyrë, ata do të jenë të mbuluar ligjërisht”, ka qenë deklarata e Papa Franceskut në filmin dokumentar që u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Romë ditën e djeshme.

Papa Francesku ka shtuar se e kishte mbështetur këtë më parë, duke iu referuar kohës kur ka qenë Arqipeshkv i Buenos Ajresit dhe ndonëse i kundërvihej martesave mes personave të të njëjti seks me ligj, mbështeste idenë e një lloj përkrahjeje ligjore për të drejtat e çifteve gay.

Kjo deklaratë e tij është komentuar në të gjithë botën duke ndarë opinionin në Pro dhe Kundra. Ai është falenderuar nga këngëtari Elton Johns dhe është quajtur hero aktorja Sharon Stone.

Për të disktuar rreth kësaj deklarate në emisionin Rudina në Tv Klan, kanë qenë të ftuar Pastori i Kishës “Ungjilli i Krishtit”,Akil Pano dhe ish-atletistja Klodiana Shala, ndërsa në një lidhje me Skype do jetë sipërmarrësi Elton Ilirjani dhe Xheni Karaj, aktiviste e të drejtave LGBTI e cila është karantinuar në shtëpi derisa të marrë përgjigjen e testit të Covid-19, pasi një i afërm ka rezultuar pozitiv. Pastori është shprehur se kjo deklaratë është keqkuptuar nga të gjithë, ndërsa Xheni dhe Eltoni shprehen se kjo deklaratë është revolucionare dhe historike.

Pastori Akil Pano: Deklarata e Papës është nxjerrë jashtë kontekstit, mund të duket si një lajm i mirë për komunitetin LGBT, por nëse e lexon deklaratën e tij nuk thuhet për legalizimin e martesave brenda të njëjtës gjini, por bëhet fjalë për një lloj mbrojtje që kisha dëshiron të japë përmes një shpallje të tillë publike në dimensionin e lidhjeve homoseksuale, flitet për një bashkëjetesë civile. Një ligj civil që do të krijojë mbrojtje financiare dhe sociale.

Rudina Magjistari: Papa është shprehur se edhe ata janë fëmijë të Zotit dhe kanë të drejtë për një familje.

Akil Pano: Çdo qënie njerëzore që vjen në këtë botë ka të drejtën e një familje sepse të gjithë lindin përmes një prindi si qënie njerëzore të drejtat tonë mbrohen nga kushtetuta ndërkombëtare. Ky është lajm sepse Kisha ka qëndruar stoike në dogmatizimin e linjës së saj të doktrinës që lidhjet kundër natyrës, nuk janë lidhje të cilat i bekon Zoti. /tvklan.al