Teksa Kryeministri Rama ndodhet në vizitë zyrtare në Turqi, së bashku me Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët për mediat.

Gjatë fjalës së tij, Erdogan tha se pjesë e diskutimit me Ramën ishte edhe organizata FETO, për të cilën u shpreh kështu: Pjesë e axhendës sonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve të Shqipërisë, e cila vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona. Ne nuk do të lejojmë që kjo t’ia arrijë objektivat e saj dhe po ashtu ne shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Në kuadër të mirëkuptimit, lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falënderoj për kontributin që ka dhënë fondacioni turk Maarif që vazhdon aktivitetin e arsimit në Shqipëri. Ne kemi bindjen se kjo mbështetje, ky kontribut do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Presidenti turk Erdogan u shpreh se bashkëpunimi me Shqipërinë vijon të rritet, teksa tha se është konfirmuar vendosmëria për të ngritur në nivel më të lartë marrëdhëniet Turqi-Shqipëri. Erdogan shtoi se objektivi është që volumi tregtar mes dy vendeve të shkojë 2 miliardë Dollarë.

Presidenti Erdogan: Ju përshëndes me ndjenjat më të përzemërta dhe me respekt!Jam shumë i kënaqur që mirëpres kryeministrin e Shqipërisë zotin Rama dhe delegacionin e tij në Ankara me rastin e mbledhjes së parë të Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë. Ju uroj mirëseardhjen edhe një herë në praninë tuaj!Vitin e kaluar festuam 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë.Bashkëpunimi ynë shumëdimensional vazhdon të zhvillohet në kuadër të partneritetit strategjik që ne kemi shpallur në Ankara, së bashku me Kryeministrin Rama në vitin 2021.Sot, në mbledhjen e parë të Këshillit tonë, konfirmuam edhe një herë vendosmërinë për të ngritur në një nivel më të lartë marrëdhëniet tona.Theksova edhe një herë rëndësinë që i jep Turqia zhvillimit të Shqipërisë, mbështetjen për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar. Me marrëveshjet që nënshkruam, përforcuam bazën juridike të bashkëpunimit tonë.Volumi tregtar ka arritur në 1 miliardë dollarë. Objektivi ynë i ri është që ta çojmë në 2 miliardë dollarë dhe përcaktuam këtë si objektiv. Kam besim se me përpjekjet e sektorit tonë privat do të arrijmë këtë shifër në një kohë shumë të shkurtër.Turqia është një prej pesë investitorëve të huaj më të mëdhenj të Shqipërisë, me një investim që arrin deri në 3.5 miliardë dollarë. Më shumë se 600 firma turke kanë punësuar mbi 15 mijë qytetarë shqiptarë duke mbështetur ekonominë vendase. Ne do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë reciproke për të rritur investimet dhe për të zhvilluar lidhjet midis sektorëve të biznesit. Do të vazhdojmë mbështetjet tona për projekte në lidhje me zhvillimin e Shqipërisë përmes agjencisë TIKA.Edhe marrëveshja që ne nënshkruam pak më parë në lidhje me statusin e zyrës së koordinimit të TIKA-s ne Tiranë, do të përforcojë edhe më shumë bashkëpunimin tonë.

Presidenti Erdogan i kujtoi kryeministri Rama premtimin që i dha për ndërtimin e spitalit të Fierit për një kohë shumë të shkurtër, teksa shtoi se do të vazhdojnë që ta menaxhojnë bashkë.

Presidenti Erdogan: Në konferencën e shtypit që mbajtëm këtu me Kryeministrin Rama në janar 2021 dhamë lajmin e mirë dhe premtimin se do të ndërtonim brenda tre muajve një spital në Shqipëri, madje vendosëm edhe bast me zotin Rama për këtë çështje.Shyqyr Zotit, natyrisht që ne e mbajtëm fjalën dhe për një kohë rekord, prej tre muajsh, e ndërtuam spitalin e  miqësisë në Fier. Ne do të vazhdojmë ta menaxhojmë bashkë këtë spital ku gjejnë shërim pacientë që vijnë nga çdo rajon i Shqipërisë.

Presidenti Erdogan u shpreh se në takimin me Kryeministrin Rama, pjesë e diskutimit ishin edhe zhvillimet në rajon.

Presidenti Erdogan: Të nderuar anëtarë të medias, së bashku me zotin kryeministër shkëmbyem mendime lidhur me zhvillimet në rajon dhe në botë.Turqia dhe Shqipëria janë dy vende që kanë kontribuar në vendosjen e paqes dhe stabilitetin në Ballkan dhe si dy aleate të NATO-s.Në periudhat në vijim do të vazhdojmë dialogun dhe bashkëpunimin tonë në lidhje me Ballkanin. Jemi të vendosur që të thellojmë edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe ushtarake. Këtë e tregon edhe marrëveshja ushtarake kuadër që u nënshkrua pak më parë.E komplimentojmë Shqipërinë që e përfundoi me sukses detyrën e saj si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022 -2023.  Shqipëria do të japë një kontribut të rëndësishëm gjatë kryesisë së radhës që mori nga Turqia në Organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik të Deti të Zi. Kam besim se Shqipëria do të kryejë me sukses edhe kryesinë e radhës në Procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore që do ta marrë këtë kryesi në muajin korrik të këtij viti.

Gjatë fjalës së tij, Erdogan u ndal dhe tek lufta Izrael-Hamas dhe tek qëndrimi i Shqipërisë lidhur me këtë konflikt.

Presidenti Erdogan: Në takimin tonë trajtuam edhe shtypjen izraelite në territoret e pushtuara palestineze dhe në Gazë duke na hapur përgjegjësitë e komunitetit ndërkombëtar për ndalimin e shtypjes së tiranisë së Izraelit që vazhdon prej 4 muajsh dhe garantimin e një të ardhmeje të sigurt dhe të begatë për vëllezërit tanë palestineze.Proceset që vazhdojnë si në kuadër të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ashtu edhe në OKB kanë treguar qartë qëndrimin tonë të drejtë në këtë çështje.Edhe Shqipëria me qëndrimin e saj në votimin që u mbajt në këshillin e sigurimit të OKB-së që u mbajt në muajin dhjetor të vitit të kaluar ka zënë vend në anën e drejtë të historisë. Kjo është shumë e rëndësishme, shumë e çmuar ky  sovranitet që është shfaqur nga ana e Shqipërisë.

Në fund të fjalës së tij, Erdogan falenderoi kryeministrin Rama dhe ministrat për vizitën si dhe uroi që marrëveshjet e firmosura mes 2 vendeve të jenë të dobishme.

Presidenti Erdogan: Me mikun tim Rama do t’i vazhdojmë kontaktet edhe në kuadër të iniciativave që do të ndërmerren në proceset e ardhshme. Në përfundim të fjalës sime uroj që vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit dhe marrëveshjet e firmosura pak më parë të jenë të dobishme.Për kontributet e paçmuara që kanë dhënë në forcimin e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Shqipërisë zotit kryeministër, në emrin tim personal dhe të popullit tim e falënderoj dhe Zoti e ruajte dhe forcoftë këtë marrëdhënie dhe mikun tim Rama dhe delegacionin e tij e falënderoj edhe njëherë për vizitën e tij dhe po ia lë fjalën zotit Rama.

/tvklan.al