Pas problemit të ngritur nga Tv Klan një ditë më parë se mbetje dhe inerte përfundonin në detin Adriatik përmes kanaleve kulluese, në Qerret të Kavajës ka nisur puna për pastrimin e tyre.

Nga Bordi i Kullimit është ngritur edhe një grup që do të monitorojë subjektet që e krijojnë këtë ndotje.

“Nga sot kemi ngritur një grup pune për kontrollin e mjeteve që hedhin mbeturinat në këtë zonë. Në përbërje do të jetë edhe policia bashkiake për të monitoruar personat apo bizneset”, thotë Ledio Hysa, drejtori i shërbimeve publike në Bashkinë e Kavajës.

Po çfarë masash do të ndërmerren për të parandaluar ndotjen?!

“Kundrejt tyre në rast se shkelin ligjin për ndotjen e mjedisit do të aplikohen masa administrative siç është vendosja e gjobave”.

Kjo hapësirë bregdetare thith me mijëra turistë çdo vit, por ndotja është një problem që përsëritet nga viti në vit nga banorët që përdorin këto kanale kulluese për të shkarkuar mbeturinat.

Tv Klan