Fëmijët janë pasuri në kuptimin e plotë të fjalës. Nëse e zbërthejmë këtë nga ana matematikore, kostoja e rritjes së fëmijëve arrin një shumë të konsiderueshme. Në një statistikë që sjell Ada Hazizolli në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, në botë kjo kosto përllogaritet rreth 220 mijë euro për moshën nga 0-18 vjeç.

Llogaritja është bërë duke marrë në konsideratë strehimin, transportin, arsimin, udhëtimet, aktivitetet jashtëshkollore dhe kurset. Në Shqipëri, kjo nuk është përllogaritur, por ka disa tregues.

Ada Hazizolli: Në Shqipëri, paga mesatare është nën 80 mijë lekë në muaj dhe gati duke marrë parasysh dy prindër që  janë me këtë nivel  pagash, por sigurisht që nuk janë në këtë nivel pagash, kjo është një pagë mesazare, atëherë i bie që gati 20% e të ardhurave shkojnë për shpenzimet e fëmijëve.

Kostoja ndryshon në varësi të fazave. Përgjithësisht, fazat ndahen në 0-6 vjeç, 6-14 vjeç dhe 14-18 vjeç.

Ada Hazizolli: Për fazën e parë, mesatarisht gjithmonë sepse nuk dua të keqinterpretohem, mund të arrijë nga 2.4 milionë të vjetra në 4 apo 4.8 milionë të vjetra në vit. Çfarë përfshieht? Në fazën e parë,  fëmijët nuk është se kanë shumë kërkesa. Mund të ketë nevojë për panolina, qumësht nëse është e nevojshme për mirërritje, mund të ketë disa kosto për veshmbathje dhe këto shkojnë 20000 lekë në muaj që është kostoja përafërsisht për këtë fëmijë që janë blerjet paraprake që bëhen. Ndërkohë që kostoja maksimale mund të shkojë në 40000 lekë në muaj për këtë fëmijë nga 0-6 vjeç sepse mund të përfshihet një dado që ti je i detyruar nëse je në marrëdhënie pune për ta pasur në shtëpi, mund të përfshihet çerdhja që po ashtu janë në tarifa 20000 lekë në muaj që i shtohen kostos tjetër 20000 lekë dhe shkon përkatësisht, 2.4-4.8 milionë të vjetra.

Hazizolli thotë se edhe në fazën e dytë mund të qëndrojë kjo vlerë, por në vend të panolinave, çerdhes a qumështit shpenzimet mund të shkojnë për nevoja të tjera si kurset apo udhëtimet. Deri në moshën 18-vjeçare, totali i rritjes së një fëmije shumëfishohet.

Ada Hazizolli: I gjithë cikli nga 0-18 në kontekstin shqiptar unë do të thosha që shkon mesatarisht 50 milionë deri në 92 milionë./tvklan.al