frroku 2

Pasuritë e Mark Frrokut dhe të ardhurat e tij do të hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bazuar në ligjin antimafia.

Hetimi pasuror për ish-deputetin do të nisë javën e ardhshme dhe do të jetë i veçuar nga akuzat e tjera për Mark Frrokun.

Nga Inspektoriati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive si dhe Prokuroria e Përgjithshme është krijuar dyshimi se mbi 2 milionë dollarë pasuri të Mark Frrokut janë përftuar nga aktiviteti kriminal i trafikut të lëndëve narkotike dhe shfrytëzimit të prostitucionit në vitet 1998-2002 në Belgjikë e Hollandë.

Në sitën e prokurorisë së Krimeve të Rënda do të jenë edhe pasuri të fshehura në vlerën e 700 mijë eurove që ish-deputeti nuk i justifikon me burime të ligjshme financimi.

Dosja në ngarkim të Mark Frrokut i ka kaluar Gjykatës së Lartë. Frroku akuzohet për vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Belgjikë, pastrim të produkteve të veprës penale dhe ndërtimin pa leje të një kati në këtë godinë në rrugën e Durrësit të blerë nga miku i tij Tom Doshi. Mbi deputetin rëndon edhe akuza e fshehjes së pasurisë, të cilën ai duhet ta justifikojë me burime të ligjshme në hetimin që do të zhvillohet në Prokurorinë për Krime të Rënda.

Tv Klan