Gjashtë muaj pasi dorëzuan në zyrën e Lulzim Bashës një platformë për ringritjen e Partisë Demokratike, përfaqësues të kësaj lëvizje, të kryesuar nga ish- nënkryetari i demokratëve Astrit Patozi, kanë rinisur turin e takimeve me bazën demokrate në Korçë, Pogradec e Devoll.

Përmes një postimi në faqen e tij të Facebookut, Patozi paralajmëron nisjen e një aksioni të ri politik të cilës i janë bashkuar shumë prej  figurave të njohura të Partisë Demokratike, mes të cilëve edhe ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

Ky komunikim i ri Lëvizjes për Ringritjen e Partisë Demokratike, shkruan Patozi, vjen pasi platforma politike e paraqitur disa muaj më parë nuk u vlerësua te merrej në konsideratë nga Lulzim Basha dhe lidershipi i tij.

“Nuk po bëhet as përpjekja minimale për ta bashkuar partinë, dhe ky është një fenomen, që fillon në Tiranë dhe mbaron në fshatin më të largët të Shqipërisë. Nga ana tjetër Partia Demokratike gjendet në një krizë të fortë përfaqësimi dhe idesh, e cila shprehet në të gjithë performancën negative të saj, sidomos në vitin e fundit. Në këto rrethana, e vetmja rrugë është aktivizimi i të gjitha kapaciteteve të Partisë Demokratike, në funksion të një reformimi të thellë të saj”.

Patozi thotë me shqetësim se Partia Demokratike po humbet dita ditës terren për shkak të drejtimit të gabuar dhe nuk ka asnjë sinjal pozitiv që ky trend rrënues do të ndalet.

“Në të gjitha takimet u theksua nevoja që Lëvizja për Ringritjen e PD nuk ka më asnjë arsye pse të presë “zgjimin” e Lulzim Bashës dhe se demokratët në gjithë vendin duhet ta marrin vetë në dorë fatin e tyre. Sipas tyre, zoti Basha, sa nga dashakeqësia aq edhe nga paaftësia, nuk ka ndërmend të marrë ndonjë hap për ta ndryshuar gjendjen, ndaj është e domosdoshme nisja e një aksioni të ri politik që do t’i kthejë të djathtës shpresën dhe besimin”.

Ndaj nisja e një aksioni të ri politik, sipas ish-nënkryetarit të Partisë Demokratike, është e domosdoshme pasi do t’i kthejë të djathtës shpresën dhe besimin.

Tv Klan