Ish- deputetit i Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka reaguar pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të opozitës ku u miratuan ndryshimet e reja në statut. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, Patozi shprehet se sot u vendos përfundimisht “perdja e hekurt” mes demokratëve.

Statusi i plotë:

Mbajeni mend mirë këtë datë! Është dita kur historia e Partisë Demokratike pritet si me thikë.

Sot u legalizua gati me unanimitet kthimi në ndërmarrje private të një personi i forcës politike, që përmbysi diktaturën komuniste dhe udhëhoqi shumicën e proceseve transformuese të Shqipërisë në 28 vjetët e fundit.

Ndaj sot nuk është një ditë e zezë vetëm për demokratët.

Është ndoshta hera e parë në botë që një forcë politike mbledh Kongresin e saj vetëm për të ndryshuar statutin.

Dhe e konsideron këtë si një fitore, ndërkohë që nuk është mbushur ende viti, që kur statuti pararandës u flak botërisht në koshin e plehrave si një tefter pa vlerë.

Duhet të jetë me siguri rasti unikal në planet kur një parti e madhe e shkruan me dorën e vjet 3 vjet përpara që do t’i humbasë zgjedhjet dhe se pas disfatës do të drejtohet sërish nga i njëjti kryetar. Këtë, të paktën, mund të na e kishin kursyer.

Mos u çudisni që u përpoqën më kot t’i shisnin disa diskutime kritike në Kuvend si shenjë e ndryshimeve pozitive që gjoja po ndodhin në Partinë Demokratike.

Lodhen kot, sepse e kanë pothuajse të pamundur që të gënjejnë njeri me ketë.

Sepse problemi ynë këto vitet e fundit nuk ka qenë kurrë se të ndalojnë të flasësh, por se nuk lejojnë që të dëgjohesh.

Për fat të keq, sot Partia Demokratike ngjason shumë me Berlinin e pasluftës, kur sovjetikët dhe gjermanolindorët morën vendimin për ndërtimin e murit famëkeq.

Ky Kuvend ishte perdja e hekurt të Lulzim Bashës për të ndarë demokratët dhe për të izoluar përfundimisht nga çdo gjë perendimore atë që ka mbetur nga Partia Demokratike e drejtuar prej tij.

Por të gjithë ne e dimë mirë se si përfundoi historia e Murit të Berlinit dhe e Republikës (së Re) Demokratike Gjermane./tvklan.al