Teksa demokratët presin mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe miratimin e ndryshimeve statutore, ish- nënkryetari i kësaj partie, Astrit Patozi nuk e kursen ironinë ndaj Lulzim Bashës të cilin e sheh si të vetmin përgjegjës për krizën që ai thotë se ndodhet Partia Demokratike. Dalja nga kriza, thotë ai, nuk mund të vijë përmes  ndryshimeve të reja statutore, proces në të cilin refuzon të jetë.

“Dashnorët” e statutit duhet ta dinë që askush prej nesh nuk e çon nëpër mend se kjo krizë dhe çarje e madhe në PD ka ardhur për shkak të librit të rregullave dhe as që mund të ndreqet vetëm prej tij. Sepse Lulzim Basha dhe kushdo tjetër, që qëndron pas tij, siç shpërfilli dhe nuk e respektoi kurrë të vjetrin, ashtu mund të hedhë në kosh edhe të riun. Sa për ne të tjerët, merreni, zijeni dhe pijini lëngun atij statutit të ri, që do të miratojë Kongresi i Vazhdimësisë, sepse ai nuk i duhet as dreqit”.

Akuzat se e ka kthyer Partinë Demokratike në biznes familjar, ish-nënkryetari i demokratëve ia rikujtoi sërish Lulzim Bashës.

“Vërtetë mendoni ju se ne jemi aq naivë sa të presim edhe 3 vjet të tjera, që të provojmë se Luli nuk të gënjen edhe për orën? Edhe në statutin aktual nuk thuhet gjëkundi që vendimet për marrëveshje apo mosmarrëshje, aleanca apo koalicione i merr një njeri i vetëm apo që të bësh karrierë në PD duhet të kalosh patjetër në skanerin apo në llogarinë e kunatit”.

Pasditen e së shtunës kryesia e Partisë Demokratike do të mblidhet për të diskutuar mbi ndryshimet e reja statutore. Të parat propozime janë ato të disa prej anëtarëve të kryesisë të njohur si kritikë të Bashës, të cilët i kërkojnë Këshillit Kombëtar vendimarrjen për t’i paraqitur votbesimin e Bashës si kryetar përpara Kuvendit Kombëtar. Ndërsa dy prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar në propozimet e tyre kërkojnë që nëse Partia humbet dy palë zgjedhje të njëpasnjëshme, atëherë kryetari i saj jep dorëheqjen e menjëhershme ose shkarkohet nga Këshilli Kombëtar.

Tv Klan