Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje Presidentit Ilir Meta në lidhje me çështjen e patronazhistëve dhe të dhënat e qytetarëve që janë publikuar ditët e fundit në media. Ai u shpreh se kjo histori është një tentativë për të krijuar konfuzion dhe çoroditje tek qytetarët dhe për të ngritur një alibi për humbjen që opozita do të ketë më 25 Prill.

Kryeministri gjatë takimit elektoral ftoi edhe një patronazhiste ndërsa për veten tha se është “kryefuksi”. Rama u shpreh krenar për rrjetin e patronazhistëve dhe tha se ata janë qelizat vitale të PS-së. Rama u shpreh se të dhënat e bëra në media nuk kanë lidhje me Partinë Socialiste dhe se që prej vitit 2009, databaza e Gjendjes Civile gjendej kolla në internet.

“E ka kapur me këta, patronazhistët. Këtu ka patronazhistë besoj. Hajde ti biondja këtu. Kjo sipas Ilir Metës po survejon pogradecarët. Tashi kjo është fukse, bashkë me mua, kryefuksin. Megjithatë nuk kam dashur që të hyj më thellë në punën e kësaj historie se e kam ditur që do të fillojë të shfaqet. Që ne kemi një rrjet të tërë patronazhistësh kjo nuk diskutohet. Patronazhistët janë qelizat vitale të PS-së. Që ne kemi në të gjithë territorin këtë rrjet që komunikon me njerëzit, që i dëgjon njerëzit, kjo nuk diskutohet, e kemi për nder. Por që ne nuk e kemi atë që këta ekspozojnë edhe kjo është e sigurt. Ilir Meta thotë që janë përhapur të dhënat dhe është vënë në rrezik siguria kombëtare. Kush i përhapi të dhënat? I përhapëm ne? Se është pyetje shumë e thjeshtë. Së pari, të dhënat tona janë shumë të ndryshme nga ato që kanë dalë, kanë tjetër strukturë, por le ta zemë. I përhapëm ne këto? Kush i përhapi? E dyta, nuk e di Ilir Meta që qysh prej vitit të largët 2009 kur rreshter Bujar Nishani ishte Ministër i Brendshëm e gjithë databaza e Gjendjes Civile ka dalë dhe është në internet? Deri para 3 ditësh blihej me 15 Dollarë. Tani, në patronazhistët tanë nuk i kanë këto të dhëna siç i kanë këta. Pse i nxjerrin këta tani? Ku duan të dalin. Ku do të dalë Ilir Meta që thotë po survejoheni. E pashë sot e kishin kapur në një foto me kapuç, dielli shkëlqente. Në një cep atje, me dy hije, me kapuç, presidenti i Republikës. Mbuluar me kapuç atje. Natyrisht se kur takohesh me subjektet e OFL-së do vesh dhe kapuç. Ai është i bindur se e kanë kapur dhe patronazhistët. Ai kujton se patronazhistet ndjekin atë. Ne Ilir Metës ia dimë mebndimet një nga një. Ilir Metës ia di mendimet pa folur imagjinoje kur çfarë nxjerr nga goja. Çfarë do zbulojmë ne në atë kokën e madhe të Ilir Metës? Në kuptimin e kokës së madhe siç e themi, është koka e madhe ai, jo në kuptimin e kokës së madhe se atë e kam më të madhe vetë.  

Kjo është tjetër tentativë për të krijuar konfuzion tek njerëzit, për të krijuar çorodi dhe për të vazhduar të ngrenë alibinë e asaj që do të ndodhë më 25 Prill. Ata, mos shihni as sondazhe, mos dëgjoni as analistë, thjeshtë dhe vetëm deri në datën 25 kur mbaron votimi, kush është dakord për mua për çka po them këto ditë të bëjë atë që mundet, patronazhist apo jo, të mos lerë njeri ta çojë tek kutia e votimit dhe pasi të bëjmë këtë ne, do e shikojmë mirë se çfarë do të dalë nga kutitë e votimi. E kam thënë 74-78”, tha Rama. /tvklan.al