Më 28 Nëntor të 1912-ës Ismail Qemali dhe një grup përfaqësuesish të krahinave të ndryshme shpallën në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Otomane. Kjo padyshim ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme.

Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Pavarësisë shqiptare sovrane nga Perandoria Otomane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë, për shkak se kombi shqiptar ishte i rrezikuar nga vendet fqinje sepse kishte një vlerë të madhe gjeografike dhe strategjike.

Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të shtypur të Ballkanit për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Përfaqësuesit e tyre bënë përpjekje për t’u lidhur me fqinjët në luftën e përbashkët kundërosmane, por këto përpjekje dështuan për faj të krerëve të Aleancës Ballkanike, të cilët nuk dëshironin t’i kishin shqiptarët si palë me të drejta të barabarta në këtë aleancë, sepse ishin marrë vesh ndërmjet tyre për copëtimin e Shqipërisë.

Prandaj, shqiptarët nuk hynë në një aleancë, krerët e së cilës synonin t’i përdornin ata si mish për qentë në luftën kundër Perandorisë Osmane. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë aleancë, pa u njohur zyrtarisht të drejtat e tyre, do të ishte një vetëvrasje. Lidhur me pavarësinë dhe rolin e Ismail Qemalit për shpalljen e saj ishin të ftuar për të diskutuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan Artur Zheji, Artan Lame, Paskal Milo, Nevila Nika, Ben Blushi, Dritan Egro./tvklan.al