Pas çmimit në Barcelonë për sheshin Skënderbej si hapësira më e mirë publike e urbane në Europë për vitin 2018, një tjetër xhevahir i Tiranës është vlerësuar nga një juri profesioniste ndërkombëtare. Një vit nga përurimi i tij, Pazari i Ri ka fituar çmimin si Projekti i Rinovimit për vitin 2018 nga Emerging Europe Awards (EEA) në Londër, një iniciativë unike që shpërblen praktikat më të mira në Europën Lindore.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, falenderoi jurinë për vlerësimin e projektit të rehabilitimit të Pazarit të ri, i cili nga një ngrehinë, brenda një kohe të shkurtër është transformuar në një nga pikat më atraktive të kryeqytetit duke ofruar një shumëllojshmëri aktivitetesh ekonomike dhe kulturore. Mazniku u shpreh se ndihet i kënaqur për këtë çmim prestigjioz, që është një shembull fantastik se si ” një qendër e re e kumbuese në Tiranë si Pazari i Ri është vlerësuar” .

Pazar i Ri u përball me konkurrencën e nëntë kandidatëve të tjerë, duke përfshirë Pazarin e Vjetër të Korçës, qendrën historike të Timishoarës, sallën e tregut 100-vjeçare të Varshavës “Koszyki”, sheshin Mynta në Lviv (Ukrainë) etj.

Juria profesioniste ndërkombëtare veçoi se Pazari i Ri ka pësuar ndryshime pozitive duke bërë që nga një zonë që për vite me radhë u neglizhua, të shndërrohet në një simbol të jetës urbane dhe një destinacion me vlerë tregtare, kulturore si dhe një treg “hip”.

Gjithashtu, juria vlerësoi ndërthurjen e trashëgimisë kulturore me arkitekturën modern të Pazarit të Ri, ku shumë nga elementët tradicionalë të qytetit të vjetër janë ruajtur, ndërsa sheshi është rifreskuar me një çati mbresëlënëse prej çeliku dhe qelqi.

Pazari i ri u konsideroi si modeli inovativ i biznesit pasi është një qendër tregtare e cila përfshin 308 biznese dhe siguron 1,007 vende pune.

Projekti i rinovimit të Pazarit të Ri u realizua nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiotaro – Amerikan të Zhvillimit (AADF). Që prej inaugurimit të Pazarit të Ri, përmes tezgave mund të shohësh gjithnjë e më shumë turistë të cilët gjejnë rastin të shijojnë specialitetet e kuzhinës tradicionale shqiptare. Rivitalizimi i sheshit “Avni Rustemi”, një prej pjesëve më kritike që ka patur ky Pazar, tashmë ofron mundësi të panumërta për aktivitete në çdo orë të ditës, që së bashku me rikonstruksionin e godinave përreth, e ka kthyer zonën në një pikë mjaft atraktive për turizëm.

/tvklan.al