Veliaj: Tabaku gjobëvënëse, do dalë vilë në Lalëz edhe për të

Partia Demokratike thotë se deklarata e bërë nga delegacioni i Bashkimit Europian, se gjimnazi “Sami Frashëri” nuk do të ndërtohet me fondet e tij është dëshmi e qartë e mashtrimit të radhës së kryebashkiakut Veliaj. 

“Mbërriti deri aty sa të censurojë delegacionin e Bashkimit Europian, i cili sqaroi publikisht se fondet për “Sami Frashërin” nuk janë nga fondet e rindërtimit të BE-së. Kjo deklaratë përgënjeshtroi Erion Veliajn dhe Arben Ahmetajn dhe për të disatën herë i shpalli mashtrues dhe gënjeshtar”.

Ish-deputetja Jorida Tabaku tha se pas këtij mashtrimi fshihej plani i  Veliajt dhe qeverisë për të rritur kostot e shkollës.

“Sipas tabelës së publikuar nga Bashkia Tiranë, kosto e shkollës shkon në 4.5 milionë Euro, një vlerë gati 8 herë më e lartë se sa shkollat e ngjashme që ndërton BE”.

Përgjigjen për akuzat, Veliaj e dha nga Asambleja e Partisë Socialiste nga lagjia 14 në Kashar.

“E keni parë si çirren përditë? Edhe sot kishte dalë shoqja ime Jorida, çirrej për “Sami Frashërin”. Shumë njerëz e kanë harruar se ajo dhe Petrit Vasili kanë qenë nënkryetarë të Bashkisë së Lulit. E dini pse e kanë harruar? Se nuk bënë asnjë punë! Se nuk bënë asnjë shkollë! Jam i sigurt, do dalë një vilë në Lalëz edhe për Joridën, nga ndërtuesit e shkollave, dhe do fiket edhe kjo e “Samiut”.

Demokratët i kërkojnë Bashkisë së Tiranës që të bëjë publike dosjen, duke filluar nga fondet, projektimi deri tek procedurat e tenderit publik. Sipas tyre, shkolla “Sami Frashëri” u prish në mënyrë të beftë dhe me procedura të fshehta dhe ende të pashpallura.

Tv Klan