“Lehtësira fiskale për çdo kontrate punësimi”

Punësimi i të rinjve përbën një nga shtyllat kryesore të programit që Partia Demokratike ka prezantuar për qeverisjen e nesërme. Mbështetja e sipërmarrjeve që krijohen nga të rinjtë dhe pagesa e taksave për çdo kontratë pune me biznesin privat, do jenë disa nga lehtësirat që demokratët ofrojnë për të nxitur punësimin e të rinjve.

“Ne do të vëmë në dispozicion 5 milionë euro çdo vit për mbështetjen e sipërmarrjeve që do të krijohen nga vet të rinjtë. Nëse ke një ide për biznes, ne do të mbështesim që të punësosh veten por pse jo edhe të tjerët. Çdo biznesi që do të bëjë një kontratë pune për një të ri ne do t’i japim një mijë euro nga fondi i punësimit për pagesën e taksave”.

Një vëmendje të veçantë programi i demokratëve i kushton edhe rikthimit të atyre të rinjve të arsimuar që janë larguar jashtë vendit dhe që duan të rikthehen.

“Po, kemi programe “Brain Gain” për mundësimin e pagesës një vit të çdo profesionisti të ri që do të kthehet përsëri në vend, gjithashtu ne do krijojmë lehtësira fiskale për kontratat e punës përtej një viti”.

Pjesë e planit të demokratëve për rininë është edhe dhënia e 5 mijë bursa sociale për gjithë të rinjtë që e kanë të pamundur të paguajnë studimet për shkak të gjendjes së tyre të vështirë ekonomike familjare, përgjysmimi i tarifave të edukimit, si dhe pagesa e 10 mijë stazheve të pune për 10 mijë student ekselent me plot 300 mijë lekë në muaj, për 12 muaj me radhë.

Tv Klan