“Qeveria ka lënë në harresë qytetarët”

50% e kredive të miratuara nga Fondi i Garancisë për t’u ardhur në ndihmë bizneseve të prekura nga pandemia e Covid-19, sipas demokratëve kanë shkuar për të njëjtët klientë të qeverisë. Ish-deputetja Jorida Tabaku akuzoi Kryeministrin se në kulmin e krizës ekonomike ka lënë pa mbështetje biznese të sektorit të turizmit dhe fasoneritë.

“Kreditë e miratuara nga bankat e nivelit të dytë, si pasojë e Fondit të Garancisë Sovrane kapin vlerën e 3.9 miliardë lekësh. Nga të cilat 10 kompani që kanë koncesionet kryesore në Shqipëri kanë përfituar 2 miliardë lekë apo rreth 50% të totalit të këtyre kredive. Por ndërsa oligarkët e PPP-ve përfitojnë nga kjo garanci sovrane, sipërmarrje si fasoneritë apo hoteleri turizmi që u detyruan te largonin me qindra punonjës nga puna nuk kanë përfituar asgjë. “

Tabaku thotë se ekonomia po përjeton një nga periudhat më të vështira të 20 viteve të fundit.

“Të ardhurat në buxhet mungojnë, borxhi është rritur, bizneset po falimentojnë masivisht dhe janë lënë jetimë nga qeveria. Atëherë kur duhet më shumë, qeveria zgjedh sërish të jetë me pakicën. “

Për demokratët, raportet ndërkombëtare janë dëshmi e krizës ekonomike që ka shkaktuar qeveria, duke e renditur Shqipërinë në listën gri dhe recension me 9% rënie.

Tv Klan