“Veliaj mashtroi për ujë 24 orë në ditë”

Kryebashkiaku Erjon Veliaj është vënë në qendër të akuzave të demokratëve. Nisur nga disa denoncime të mbërritura në selinë blu, demokratët e akuzuan se mashtron qytetarët e Tiranës lidhur me furnizimin 24 orë me ujë, ndërkohë që sipas tyre, prej disa ditësh mungon në rubinetat e shtëpive.

Dhjetra lagje në Kryeqytet ankohen se nuk furnizohen me ujë prej javësh, lagje të tëra uji mungon mbi 20 orë në ditë, ndërsa faturat e ujit u shumëfishuan për të justifikuar vjedhjen galopante në Ujësjellësin Tiranë. Problemi i mungesës së ujit nuk është vetëm në periferi, por edhe në qendër të Tiranës. Denoncimet vijnë, jo vetëm nga Yzberishti, Astiri, Ali Demi, Lapraka, Uzina e Autotraktorëve, por edhe nga rruga ”Sami Frashëri”, zona e “Myslym Shyrit”, zona e Bllokut etj.

Nuk mjafton kjo, por qytetarët ankohen se uji vjen i ndotur në rubineta në rrezik shpërthimi epidemish. Sipas stafit të UKT, nuk ka prioritete, nuk ka hot-spote (pika ku duhet të ndërhyhet menjëherë), nuk ka plane veç çfarë të dalin më parë mundësitë për të zhvatur! Çdo ditë në Tiranë, në çdo lagje të saj, shihen qytetarë të lodhur, të dëshperuar, që presin me orë depozitat me ujë që transportohen nga kompani klientë të Erjon Veliajt. Praktikisht Tirana e merr ujin, një nevojë bazike, tashmë me tollon, njëlloj siç ndodhte me ushqimet bazike në kohën e Enverit”, tha ish-deputetja Albana Vokshi.

Opozita thotë se rritja e çmimit të ujit nuk shkon për investime në ujësjellësin, por në xhepat e oligarkëve që sipas saj janë të lidhur me kryebashkiakun Veliaj dhe Kryeministrin Rama.

Tv Klan