Sipas Partisë Demokratike, pandemia ekonomike është rreziku kryesor për qindra mijëra familje, që sipas tyre janë lënë në mes të katër rrugëve nga qeveria. Një prej këtyre shtresave të prekura janë edhe naftëtarët e Ballshit.

Sipas opozitës, ata janë goditur nga dy të këqija: korrupsioni i qeverisë, që është shkak për mosmarrjen e pagave prej më shumë se dy vjetësh dhe propaganda e qeverisë, e cila ka nxjerrë vendime në letër, por nuk i ka zbatuar në realitet..

“Janë 800 punëtorë të papaguar qe kanë dalë në protestë për të mbrojtur djersë e tyre nga vjedhja dhe për të mos lënë qeverinë t’i marrë zvarrë me mashtrime të reja. Vendimi i datës 22 prill e thotë shprehimisht se naftëtarët e Ballshit, të gënjyer e të mashtruar për kaq muaj nga qeveria e Edi Ramës për rrogat e tyre, do të merrnin një pagesë ndihme prej 400 mijë lekës”, tha ish-deputeti Alibeaj, sipas të cilit kjo ndihmë nuk ka arritur në llogaritë e naftëtarëve.

Sipas opozitës, qeveria ka gënjyer dhe ka nxjerrë njerëz në rrugë.

“Partia Demokratike mbështet plotësisht protestën e naftëtarëve të rafinerisë së Ballshit. Padrejtësia ndaj tyre duhet të marrë fund. Ata jo vetëm duhet të marrin pa asnjë ditë vonesë me shumë pagesën prej 400 mijë lekësh të ndihmës, por duhet të zgjidhet edhe problemi i djersës gati 2 vjeçare, akoma të papaguar nga kompanitë fantazmë të cilëve Edi Rama u fal miliona euro detyrime”./tvklan.al