PD: Prokuroria mbron Kryebashkiakun e Vorës

PD: Prokuroria mbron Kryebashkiakun e Vorës

16:36 05/09/2019

“Nuk dha shenjat e gishtërinjve, duhet shkarkuar”

Një ditë pasi Prokuroria e Përgjithshme sqaroi se Kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, nuk i janë marrë shenjat e gishtërinjve për shkak se postieri nuk i kishte gjetur adresën e saktë dhe përgënjeshtrimit të Postës Shqiptare se letra e Prokurorisë i është lënë Kajmakut në bashki, ka ardhur edhe reagimi i demokratëve.

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, akuzoi Kryeprokuroren Arta Marku se është vënë në shërbim të urdhrave politikë të Kryeministrit Rama, për të mbrojtur Kryebashkiakun e Vorës.

“Ka një arsye pse Arta Marku është detyruar të gënjejë publikisht për të justifikuar mosdorëzimin e gjurmëve të gishtërinjve të Agim Kajmakut. Sipas ligjit të dekriminalizimit, personi që nuk jep shenjat e gishtërinjve 5 ditë nga marrja e njoftimit, humbet menjëherë mandatin dhe shkarkohet nga funksioni shtetëror. Afati taksativ që parashikon neni 8 i ligjit të dekriminalizimit është tejkaluar dhe prej datës 3 shtator, për shkak se nuk ka dhënë shenjat e gishtërinjve, Agim Kajmaku duhet të mos ishte më në zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vorës”.

Opozita ka publikuar disa dokumente që sipas saj provojnë se Agim Kajmaku, nën emrin Jorgo Toto, ka qenë i arrestuar dhe është në kërkim nga drejtësia greke për veprën e trafikimit të parave të falsifikuara.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT