Arrestimi i Edmond Begos në Igumenicë të Greqisë ka provokuar sërish debatin politik në Tiranë.

Bego rezulton të jetë një i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge, por sipas opozitës ai ishte edhe një biznesmen i lidhur ngushtë me pushtetin e Ramës.

Edi Paloka:

 “Mbrëmë vonë u mësua se policia greke ka arrestuar një prej eksponentëve të krimit të organizuar, anëtarin e bandës së Aldo Bares, i dënuar në Itali me 21 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge, biznesmenin e lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës, Edmond Bego.

Pavarësisht se ka qenë i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, trafikanti ndërkombëtar i drogës, anëtari i bandës së Aldo Bares, jetonte i lirë në Shqipëri, ku drejtonte edhe një biznes ndërtimi, nën mbrojtjen politike të kësaj qeverie”.

Edi Paloka ngriti disa pyetje në konferencën për mediat, duke bërë lidhjen mes biznesmenit të arrestuar dhe kreut të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Ballës.

A është Taulant Balla politikani që e ka marrë në mbrojtje trafikantin e drogës dhe bën biznes me të?

Përgjigja e Ballës erdhi përmes rrjeteve sociale, ku deputeti ironizoi akuzat e Edi Palokës, duke kujtuar skafistin e Vlorës, i njohur ndryshe si Babalja.

Partia Babalokratike filloi sot teatrin komik “Babale 3”. Madje dy zëvëndësat e Lulzim Bashës bënë dhe prezantimin e skenarit. Meqenëse më drejtuan mua pyetje dy zëvendësat e Lulzim, unë kam dëshirë që betejën ta bëj përsëri me Kryebabale Lulzim Basha. Ngrini akuza, lërini pyetjet! Duhen për në Gjykatë përsëri. Le të na gjykojë në fund publiku. Siç do na gjykojë në Shtator për “Babale 1”, e më pas edhe për “Babale 2” etj.

Pas këtij reagimi, Paloka ka përsëritur pyetjet, nëse Taulant Balla e njeh trafikantin Mond Bego dhe se çfarë e lidh me këtë person.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se Bego ka qenë i dënuar nga gjykata e Apelit te Torinos me 11 vjet burg dhe ne vitin 2010, Gjykata e Lartë në Shqiperi kishte bërë njohjen e vendimit, duke e dënuar përfundimisht me 4 vjet e 4 muaj burg. Uljen e dënimit ai e kishte përfituar për shkak të aplikimit të ligjit italian për amnistinë e përgjithshme.

Tv Klan