Alibeaj: Të gjitha lidhjet të çojnë në zyrën e Kryeministrit

Partia Demokratike reagoi për një raport të Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave, në të cilin thuhet se organizatat e drogës i shërbejnë politikës në Shqipëri në forma të ndryshme.

“Organizatat e drogës i shërbejnë politikes në Shqipëri duke zhvatur bizneset përmes gjobave, mbështetje të kandidatëve në zgjedhje ose frikësimin e kundërshtarëve politikë, shkatërrimin e opozitës, prishjen e tubimeve partiake, manipulime të rezultateve të zgjedhjeve dhe financimin e fushatave elektorale në shkëmbim të imunitetit nga ndjekja penale, thuhet në raport”.

Partia Demokratike akuzoi qeverinë dhe Kryeministrin për lidhje me krimin.

“Të gjitha lidhjet të çojnë në zyrën e Kryeministrit”.

Pa dhënë detaje të hollësishme, në raport thuhet se partitë politike në Shqipëri kanë përfituar fonde nga rrjetet kriminale, se anëtarët e këtyre rrjeteve kanë shërbyer si komisionerë në qendrat e votimit dhe se krimi i organizuar ka arritur të neutralizojë shoqërinë edhe përsa i përket lirisë së fjalës, duke shkelur rëndë kulturën e raportimit të lajmeve. Raporti përmend fuqizimin e grupeve shqipfolëse në trafikun e kokainës, krahas kolumbianëve dhe italianëve.

Tv Klan