PD: Veliaj po i jep fund zonës historike të Tiranës

PD: Veliaj po i jep fund zonës historike të Tiranës

12:41 20/11/2020

“Ktheu Kullën e Sahatit në orë muri për oligarkët”

Partia Demokratike, akuzon kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj në lidhje me një ndërtimin e një kulle pranë Kullës së Sahatit.

Sipas Belind Këlliçit, kryetar i FRPD-së, pas disa muajsh Kulla e Sahatit nuk mund të shihet prej ndërtesës.

Sipas tij, paratë e taksapaguesve shpenzohen për propagandë dhe fasadë, ndërkohë që kryeqytetit po i zhduket memoria historike.

Deklarata e plotë:

Jemi sot këtu në zonën historike të qendrës së Tiranës, për t’ju treguar sërish një nga premtimet e mbajtura të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.

Në Qershor të vitit 2016, pasi shpenzoi disa miliona lekë për t’i hedhur një bojë kullës së Sahatit, Erion Veliaj ftoi të gjithë kryeqytetasit për të ngjitur 90 shkallët e kësaj kulle dhe në lartësinë 35m të kullës të shijonin pamjen fantastike që të ofronte qendra e Tiranës dhe kryeqytetit.

Nguliteni mirë në mendje këtë pamje! Sepse pas pak muajsh nuk do ta shohim më kullën e Sahatit.

Kjo për shkak të ndërtimit në krah të saj të disa përbindëshave prej betoni, që fillojnë me 5 kate, ngjiten në 11 kate, në godinën që është në krah të kullës pa respektuar as minimumin e distancës — dhe mbaron me kryeveprën e Veliajt, që i dhuron qendrës muzeale të qytetit kullën 27 kate.

Në vetëm 4 vite, Erion Veliaj ia doli që kullën e Sahatit ta shndërrojë nga simbol të qytetit në orën e murit të oligarkëve, miq të tij. Kjo është fytyra e vërtetë e Erion Veliajt!

Paratë e taksapaguesve shpenzohen për propagandë dhe fasadë, ndërkohë që tashmë kryeqytetit do t’i zhduket dhe memoria e tij historike. Do t’i zhduket dhe kulla e Sahatit, simbol i kryeqytetit tonë./tvklan.al





Të ngjashme