“Në UNMIK nuk u përfshi në dosjet ndaj UÇK”

Partia Demokratike ka reaguar ndaj disa deklaratave të bëra ditët e fundit ndaj kryetarit Lulzim Basha për kohën kur ai ka shërbyer në UNMIK.

Selia blu thotë se “e përbuz me neveri maskaradën e orkestruar nga Edi Rama kundër kreut të opozitës”.

Sipas demokratëve, “deklaratat e fabrikuara janë në shërbim të pushtetit të Edi Ramës dhe të pasurimit të paligjshëm të mercenarëve të tij, të fshehur pas inceneratorëve”.

Në deklaratë thuhet se “në asnjë ditë të punës së tij në UNMIK, Basha nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndaj anëtarëve apo drejtuesve të UÇK-së dhe se ky është një fakt i konfirmuar edhe nga ish-kryeprokurori i EULEX, Uilliamson”.

“Deklaratat e rreme të orkestruara nga Edi Rama nuk dëmtojnë aspak Lulzim Bashën. Ato shkojnë kundër interesit kombëtar, duke dëmtuar imazhin e Kosovës dhe Shqipërisë. Sa herë është para humbjes së zgjedhjeve, Edi Rama zbaton të njëjtin skenar shpifjesh kundër Lulzim Bashës. E bëri atë në 2005-ën, në 2011-ën dhe po riciklon sërish skenaret e denja për Sigurimin e Shtetit”, thuhet në deklaratë që nënvizon se “të tillë skenarë imagjinarë kundër Bashës do të dëgjohen pa ndërprerje deri në 25 Prill ndaj duhet përbuzur Rama dhe mercenarët e tij”.

Tv Klan