Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Rama dhe Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se kanë qënë në dijeni  të aktivitetit kriminal të Emiljano Shullazit. Në një dalje për mediat, Sekretari i Përgjithshëm në selinë blu, Arben Ristani tha se, Shullazi është ndihmuar nga zyrtarë të lartë në ngritjen e perandorisë së krimit, përmes gjobave ndaj biznesit, me rrëmbime pronash dhe trafik droge.

Arben Ristani, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së:

“Edi Rama dhe Saimir Tahiri e kanë ditur, e kanë lejuar, madje e kanë ndihmuar Emiljano Shullazin në grabitjen e “Vollgës” në Durrës, në marrjen me dhunë, përmes kërcënimesh, me armë e me eksploziv, të qindra mijëra eurove nga biznesmenët. Shullazi jo vetëm kishte çdo zyrë të shtetit të Edi Ramës në dispozicion, por mbështetja ndaj tij shkonte deri atje, sa efektivë të forcave special, shërbenin për sigurinë e tij. Makinat e tij nuk ndaleshin asnjëherë dhe nuk kontrolloheshin në dogana, siç ishte rasti i denoncuar nga ne, i futjes së makinës së blinduar pa asnjë verifikim nga Porti i Durrësit. Përfaqësues të rëndësishëm të biznesit në vend janë ankuar tek Edi Rama për gjobat që u ka vënë Shullazi, por kanë gjetur shpërfilljen, madje edhe justifikimin e tij për Shullazin. Tek Rama, biznesi nuk ka gjetur garantin e rendit dhe sigurisë, por ortakun e Shullazit”.

Ristani tha se Rama e Tahiri i kishin dhënë Shullazit statusin e të paprekshmit, çka sipas opozitës ka qenë dhe vështirësia më e madhe e prokurorisë në hetimin e tij. Demokratët ftojnë organin e akuzës të mos ndikohet nga presionet, siç thonë ata të Kryeministrit e Ministrit të Brendshëm dhe u kërkojnë partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti Ambasadës Amerikane, të monitorojnë procesin.

Jolldiz Mitro, Tv Klan