“Do skanohet cilido që ka punuar kundër”

Nuk do të mjaftojë vetëm rezultati i zgjedhjeve të 25 Prillit për analizën që do të çojë më pas në një reformim të thellë Partinë Demokratike. Këtë proces demokratët do ta mbështesin në krahasimin e bërë me rezultatet e 3 zgjedhjeve të kaluara; ato të vitit 2009, 2013 dhe 2017.

Krahas këtyre të dhënave, drejtuesve të qarqeve përmes një dokumenti u kërkohet që të identifikojnë edhe personat me ndikim që kanë punuar kundër Partisë Demokratike.

Emrat e personave influentë që kanë kontribuar për PD-në, ndarja e zonave mes ekipit të kandidatëve, organizimi elektoral i fushatës, por edhe gjendja e strukturës së partisë do të jenë gjithashtu në fokus të analizës.

Por filtrit nuk do t’i shpëtojnë as aleatët, pasi formulari i kërkon drejtuesve lokale që të përcaktojnë se çfarë vlerë të shtuar ka sjellë koalicioni në çdo zonë.

Dokumenti duhet të dorëzohet brenda datës 5 Korrik, dhe më pas të dhënat për çdo qark do t’i dorëzohen Kryesisë së Partisë Demokratike, që pritet të mblidhet në 10 Korrik.

Thënë ndryshe, kjo analizë e rezultatit do të pasohet me procesin e zgjedhjeve në kupolën drejtuese dhe degëve të Partisë Demokratike, në ato zona ku nuk u përmbushën objektivat. Tashmë Lulzim Basha ka vendosur të udhëheqë Partinë Demokratike me një ekip të ri në këtë mandat të tretë.

Me mbylljen e analizës do të nisë faza e ndryshimeve statutore, për të kulmuar me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në 17 Korrik, organ që do të zgjedhë Këshillin e ri Kombëtar.

Është ky forum që do të zgjedhë më pas kryesinë e re si dhe organet e reja drejtuese, nga  nënkryetarët deri tek sekretarët, ndonëse këtyre organeve nuk u ka përfunduar ende mandati i tyre 4-vjeçar.

Tv Klan