Basha: Sot siguruam fitoren e Shqipërisë

Partia Demokratike do të hyjë në koalicion së bashku me 12 parti të tjera të vogla. Përfaqësuesi i saj, Ivi Kaso, u paraqit vetëm pak minuta para mesnatës për të dorëzuar në KQZ dokumentet përkatëse për të regjistruar koalicionin që do të quhet “Aleanca për Ndryshim”.

Marrëveshja është firmosur në fund nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ky i fundit ka reaguar përmes rrjeteve sociale ku ka thënë ditën e sotme u sigurua fitorja e Shqipërisë.

“Për 8 vjet Rama e ka lënë Shqipërinë vendnumëro dhe ka dështuar në çdo drejtim. Vende si yni ndërkaq kanë qenë shumë më të suksesshëm se ne. Shqipëria ka humbur për shkak të Ramës. Rama, që nuk ka arritur as edhe një sukses për 8 vjet, nuk mund të kërkojë edhe 4 vjet të tjerë që ta provojë. Ka ardhur koha të ndryshojmë. Sot siguruam fitoren e Shqipërisë. Ne kemi plane serioze pune për ta çuar Shqipërinë drejt fitores. Aleanca për ndryshim. Shqipëria Fiton”, thuhej në reagimin e Bashës.

Ndërkohë në dalje nga ambientet e KQZ-së, sekretari për çështjet zgjedhore i PD-së, Ivi Kaso, tha se marrëveshja e firmosur është komplekse pasi përmban një numër të madh partish. Ai u shpreh se ky koalicion do të sigurojë të gjithë ndryshimin që presin shqiptarët.

“Kemi firmosur një marrëveshje kaq komplekse, me një numër të madh partish. Më në fund u arrit firmosja e koalicionit që do të garantojë fitoren, në datën 25 Prill. Firmosën që të gjitha partitë që ishin parashikuar që të firmosnin. Sigurisht aspektet proceduriale morën kohën e nevojshme, por e rëndësishme është që koalicioni u arrit, në formacionin e tij të plotë dhe u depozitua sipas të gjitha procedurave dhe afateve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Tani pritet vetëm vota plebishitare e shqiptarëve që do t’i japë votëbesimin maksimal këtij koalicioni që do të garantojë ndryshimin që presin të gjithë shqiptarët më 25 Prill”, tha Kaso.

Në koalicion ka hyrë edhe partia e Bamir Topit, Fryma e Re Demokratike. Me përfaqësuesit e këtyre të fundit ka pasur diskutime deri në momentin që janë bindur për të firmosur marrëveshjen. Diskutime të forta ka pasur edhe me Nard Ndokën. Pas disa orësh negociata edhe ai firmosi marrëveshjen me Partinë Demokratike.

Pjesë e koalicionit opozitar janë PR-ja e Fatmir Mediut, PDIU-ja e Shpëtim Idrizit, PAA-ja e Agron Dukës, LZHK-ja e Dashamir Shehit dhe PBDNJ-ja e Vangjel Dules. Ndërkohë aleati më i madh i demokratëve, LSI-ja do të futet në lista e vetme në zgjedhjet e 25 Prillit. /tvklan.al