“Provë e kapjes së sistemit të drejtësisë nga Kryeministri Rama”

Demokratët e cilësojnë antikushtetues dhe të paligjshëm votimin nga Parlamenti të Artur Metanit në krye të  Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë. Opozita thotë se Metani nuk duhet të ishte përzgjedhur e as votuar, pasi është në kushtet e ndalimit, sepse ka mbajtur funksione politike në administratë gjatë 10 viteve të fundit përpara kandidimit.

“Si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, edhe Parlamenti kanë shkelur me vetëdije  ligjet dhe Kushtetutën, duke qenë në dijeni të plotë të faktit ndalues se Artur Metani në 10 vitet e fundit ka qenë “funksionar politik”, si pjesë e Kabinetit të Presidentit të Republikës.Kjo është shkelja më e rëndë nga Parlamenti në emërimin e Artur Metanit. Artur Metani është në kushtet e ndalimit kushtetues dhe ligjor. Ai ka mbajtur funksionin e Këshilltarit Juridik të Presidentit të Republikës, në periudhën Maj 2002-Korrik 2012. Në bazë të Ligjit të Vetingut, nenin 3 pika17, pozicioni i Këshilltarit të Presidentit konsiderohet “funksion politik” në administratën publike”, deklaroi Çlirim Gjata.

Ngjitjen  e Metanit në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, opozita e sheh si kapje të sistemit nga Kryeministri Rama, për shkak të lidhjeve familjare që ai ka me ish-ministren socialiste Eglantina Gjermeni.  Artur Metani ka qënë këshilltar juridik i dy Presidentëve, Alfred Moisiu e Bamir Topi në vitet 2002-2012.

Ai ka mbajtur për 4 vjet detyrën e drejtorit të Departamentit të Legjislacionit dhe Antikorrupsionit në Kryeministri, si dhe që prej 22 Tetorit të vitit 2018 ka shërbyer në postin e Avokatit të Shtetit.

Tv Klan