Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po bllokon rrugën europiane të Shqipërisë. Përmes një deklarate për shtyp, ish-deputeti Genc Pollo tha Se Rama rrëzoi marrëveshjen e 5 Qershorit dhe kjo ishte arsyeja madhore për refuzimin sipas tij, ditën e martë që BE-ja të çelte negociatat me Shqipërinë.

Deklarata e plotë:

Siç e kemi mësuar nga lajmet, dje Bashkimi Europian refuzoi çeljen e negociatave me Edi Ramën kryeministër. E vërteta është se Rama po bllokon rrugën europiane të Shqipërisë.

Ai e rrëzoi marrëveshjen e 5 Qershorit për reformën zgjedhore. Edhe pse kjo marrëveshje ishte ndërmjetësuar e bekuar nga Bashkimi Europian e nga Shtetet e Bashkuara: kjo është arsyeja madhore për refuzimin e djeshëm.

Rama, përsëri, e tradhëtoi ëndrrën e përbashkët që Shqipëria të bëhet pjesë e Europës së Bashkuar.

Rama nuk bën gjë tjetër veçse batuta politike dhe gjithçka që të mbijetojë në postin që ende ka.

Çmimin për këtë e paguajnë shqiparët; Ata meritojnë një qeveri që punon realisht për ta.

Shqiptarët kanë nevojë jo për një qeveri që sheh gjithë ditën interesat personale; por për një qeveri që përpiqet çdo ditë për interesin kombëtar dhe që prin në udhën drejt Bashkimit Europian.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për një kryeminstër që poston çdo dhjetë minuta në Instagram por duan një tjetër që rrealisht lufton epideminë e mbështet ekonominë; duan një qeveri që do të sjellë shpresë tek njerëzit./tvklan.al