“Qeveria e ardhshme do të shpëtojë ekonominë shqiptare nga rënia në greminë”

Drejtuesi politik i PD në qarkun e Shkodër, Helidon Bushati, takoi disa biznese në dalje të qytetit me të cilët bisedoi për problematikat kryesore të biznesit.

Sipas një njoftimi nga Selia Blu, “të gjithë bizneset ngritën shqetësime të shumta duke deklaruar se situata është shumë e vështirë dhe rënia e konsumit po çon biznesin drejt një krize të thellë”.

Sipas PD, ata i thanë Bushatit se përballë një situate të tillë, rrezikojnë falimentimin, ndërkohë që detyrimet janë të detyruar t’i shlyejnë një më një shtetit.

Emigracioni gjatë këtyre 8 viteve për shkak të papunësisë në kryeqendrën e veriut ka qenë një nga ndikuesit kryesore në rënien e konsumit, thotë Selia Blu.

Nga ana e tij, Bushati i garantoi bizneset, por edhe qytetarët e Shkodrës se qeveria e ardhshme ka angazhime të rëndësishme për të kthyer normalitetin në ekonomi e biznes dhe për të shpëtuar rënien në greminë të ekonomisë shqiptare.

Bushati u paraqiti atyre edhe detajet e programit, program i cili PD thotë se mori vlerësim maksimal nga biznesi në Shkodër./tvklan.al