Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, me anë të një postimi në Facebook thotë se Kryeministri Edi Rama lëvizi të hënën me një makinë të blinduar private në shkelje të shumë rregullave shtetërore. Sipas Bardhit, makina “Lincoln” me të cilën u shoqërua kreu i qeverisë nga Garda është automjeti privat i vëllait të tij, Olsi Ramës.

“Makina private, “Lincoln” e blinduar, me targën TR 0370 T, me të cilin u largua Rama nga Partia Socialiste është automjeti privat i Olsi Ramës. Si i tillë, automjeti është i paprekshëm nga Policia, njësoj si Audi AA 003 GB i Saimir Tahirit, me të cilin lëviznin lirshëm trafikantët e drogës të bandës së Habilajve”.

Sekretari i Përgjitshëm i PD-së pyet se pse nuk ndalohet për verifikim nga OFL-ja makina e blinduar e Olsi Ramës.

“Duke qenë se OFL e Edi Ramës po mburret me ndalimin e mjeteve të blinduara, pse nuk e ndalon për verifikim edhe Lincolnin e blinduar të Olsi Ramës, që përdoret në shkelje të ligjit nga i vëllai Kryeministër? Ndërsa Edi dhe Olsi Rama duhet të japin vetë përgjigje për një pyetje të thjeshtë: Në çfarë aferash është përfshirë dhe çfarë e rrezikon Olsi Ramën, që është detyruar të përdorë një makinë të blinduar, e ndërtuar për të përballuar plumbat”?!

Ditën e hënë, pak para nisjes së mbledhjes së Kryesisë së PS-së një person me precedentë penalë u arrestua pranë selisë rozë. Bëhet fjalë për Vladimir Gjutën që u ndalua nga efektivët e Gardës, që ndodheshin aty për të garantuar sigurinë e Kryeministrit, i cili në atë kohë ndodhej në selinë e Partisë Socialiste, për të drejtuar mbledhjen. Atij iu gjetën para me vete dhe një pistoletë.

Ky fakt alarmoi gardistët. Edhe pse nuk ka ende të dhëna që kjo ngjarje të ketë lidhje me mbledhjen e Kryesisë, Garda u vu në lëvizje për të garantuar sigurinë e Kryeministrit.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Kryeministri u largua me një makinë tip fuoristradë dhe jo me “Mercedesin” që përdor zakonisht. Zyrtarisht nuk është e konfirmuar që kjo të ketë qenë pjesë e protokollit që Garda ndjek në raste kur beson se mund të cënohet siguria e kreut të qeverisë./tvklan.al