“Po plotësohen formularët e vitit 2015”

Pas koncesionit të sterilizimit, Strukturës së Posaçme Antikorrupsion i kërkohet të hetojë edhe atë për “Check Up”. Demokratët kanë depozituar në SPAK disa prova të reja, që kanë të bëjnë me formularë që duhet të ishin plotësuar në vitin 2015, por që sipas tyre, koncesionari i ka shpërndarë për t’i plotësuar këto kohë.

“Këto të dhëna faktojnë se në Qendrat Shëndetësore janë shpërndarë me mijëra formularë të vitit 2015, të cilët duhen mbushur sipas informacioneve që po çon koncesionari këto muajt e fundit. Partia Demokratike disponon, gjithashtu, fakte se përfundimi i analizave që bëhen nga koncesioni i “Check Up” është i ndryshëm nga të njëjtat analiza të kryera në privat apo në shtet”.

Akuzat demokratët i mbështesin edhe në konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit që sipas tyre provuan se për tre vitet e para, kompania që ka fituar “Check Up”, është paguar në mënyrë abuzive me 12.6 milionë Euro për rreth 500 mijë analiza të pabëra asnjëherë dhe se ka marrë pagesë TVSH-je në mënyrë të paligjshme për shërbime që përjashtohen nga ky tatim.

Tv Klan